Cakolli: Votat me postë rihapin lojën e mandateve-LVV në 57, por rezultati ende jo i konsoliduar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e 92 kutive të votimit me postë, që përfshijnë rreth 26,500 vota, të cilat tashmë janë inkorporuar në rezultatin kumulativ të zgjedhjeve. Megjithatë, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kjo përbën vetëm rreth gjysmën e votave me postë, pasi nga nesër pritet të verifikohen dhe numërohen edhe rreth 20 mijë vota të tjera.

Pas përfshirjes së këtyre votave, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar një mandat shtesë duke kaluar në 57 mandate deputetësh, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka rënë në 22 mandate. Ky ndryshim lidhet drejtpërdrejt me performancën e lartë të LVV-së në votat me postë, ku ka marrë rreth 72%, si dhe me performancën gati trefish më të dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në këtë kategori votash, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

Megjithatë, mandati i 57-të i LVV-së mbetet ende i brishtë. Aktualisht, koeficienti i LVV-së është vetëm rreth 4 pikë më i lartë se ai i PDK-së, që në terma realë përkthehet në afërsisht 160 vota diferencë në nivel kombëtar – një diferencë që, sipas Cakollit, statistikisht nuk e konsolidon përfundimisht këtë ulëse.

Me rreth 20 mijë vota të tjera me postë dhe afërsisht 10 mijë vota me kusht ende pa u numëruar, ndryshime në shpërndarjen e mandateve mbesin të mundshme vetëm nëse këto vota devijojnë ndjeshëm nga trendet aktuale.

Sipas skenarëve jo-definitivë të paraqitur nga KDI:

LVV mund të kalojë në 58 mandate vetëm nëse arrin rreth 80% të votave të mbetura me postë, ose edhe me përqindje pak më të ulët në rast se LDK bie nën rreth 8%.

PDK mund të rikthehet në 23 mandate vetëm nëse shënon një përmirësim të dukshëm të performancës, mbi rreth 13–14%, dhe njëkohësisht LVV ose LDK performojnë më dobët se deri më tani.

Në të kundërtën, sipas vlerësimeve aktuale, shpërndarja e mandateve pritet të mbetet e pandryshuar: 57 për LVV, 22 për PDK, 15 për LDK dhe 6 për AAK. /Kosova.info/


Go to TOP