Cakolli: Votat me kusht dhe ato me postë mbajnë ende të hapur betejën për mandatet

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka vlerësuar se votat me kusht kanë qenë faktori kryesor që ka lëkundur ndarjen e mandateve në zgjedhje duke krijuar një balancë jashtëzakonisht të brishtë mes partive kryesore.

Sipas Cakollit, në segmentin e votave me kusht, PDK ka performuar dukshëm më mirë se LDK-ja duke marrë pothuajse dyfish më shumë vota, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka qenë pak mbi përqindjen e saj në votën vendore. Kjo ka bërë që raporti i mandateve të mbetet i paqëndrueshëm dhe i ndjeshëm ndaj çdo ndryshimi të vogël në numërim.

Ai thekson se dallimi mes koeficienteve më të ndjeshëm për ndarjen e mandateve – LVV 57, PDK 23 dhe LDK 15 – është vetëm rreth 10 pikë mes secilës parti. Në terma praktikë, kjo përkthehet në vetëm disa qindra vota neto në nivel kombëtar, të cilat kanë qenë vendimtare për ndarjen aktuale të mandateve.

Me rreth 14 mijë vota me postë ende për t’u numëruar, Cakolli vlerëson se mandati i fundit i të tria partive kryesore mbetet ende në lojë. Sipas tij, gjasat më reale për ndryshim janë në raportin PDK–LDK, veçanërisht nëse vazhdon trendi aktual i votave me postë, i cili potencialisht mund t’ia rikthejë LDK-së mandatin e 15-të duke e zbritur PDK-në në 22 mandate.

Në anën tjetër, Cakolli thekson se LVV e ka të vështirë të arrijë mandatin e 58-të, përveç nëse shënon një performancë edhe më të lartë në votat me postë, konkretisht rreth ose mbi 80 për qind, krahasuar me rreth 72 për qind sa kishte deri më tani.

“Balanca e mandateve mbetet shumë e brishtë dhe çdo qindra vota mund të ndryshojnë rezultatin final”, përfundon Cakolli. /Kosova.info/


Go to TOP