Cakolli: Votat e diasporës mund të ndikojnë rezultatin në 15 komuna – në disa raste, vendosin fituesin
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se votat e ardhura nga diaspora mund të kenë ndikim vendimtar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale në plot 15 komuna të vendit.
Sipas tij, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar procesi i numërimit të 29,638 votave të ardhura nga jashtë Kosovës, të cilat përbëjnë rreth 1.4% të totalit të votave. Megjithëse numri i tyre është relativisht i vogël, Cakolli thekson se ndikimi i tyre matematikisht mund të jetë vendimtar, sidomos në komunat ku diferencat ndërmjet kandidatëve janë të ngushta.
“Këto vota mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës – qoftë në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve”, ka shpjeguar Cakolli.
Ai ka përmendur 15 komunat ku diaspora mund të ndikojë drejtpërdrejt rezultatin: Deçan, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Prishtinë, Shtime, Viti, Junik, Mamusha dhe Hani i Elezit.
Në disa prej këtyre komunave, sipas Cakollit, diferencat janë aq të vogla sa që edhe një pjesë e vogël e votave të diasporës mund të vendosë nëse një kandidat fiton në raund të parë apo shkon në balotazh.
Për shembull, në Deçan Bashkim Ramosaj (AAK) e fiton në raund të parë vetëm nëse merr mbi 33% të votave të diasporës, ndërsa në Gjakovë Ardian Gjini (AAK) do të duhej të siguronte rreth 90% të tyre – një skenar që Cakolli e cilëson pothuajse të pamundur.
Në Prishtinë, diaspora mund të ndikojë vetëm në renditjen mes dy kandidatëve kryesorë – Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekos (LVV) – ku Rama e ruan epërsinë nëse fiton mbi 15% të votave jashtë vendit.
Cakolli ka shtuar se komunat si Junik, Shtime dhe Hani i Elezit janë ndër më të ndjeshmet ndaj votave të diasporës, pasi aty balanca është tepër e ngushtë dhe çdo votë mund të jetë përcaktuese për fituesin përfundimtar.
Procesi i numërimit të votave të diasporës pritet të përfundojë në ditët në vijim, pas së cilës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale. /Kosova.info/
