Cakolli: Vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe është politik, do të rrëzohet nga PZAP-ja

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme duke e cilësuar atë si një akt politik dhe të paligjshëm.

Ai theksoi se situata ligjore rreth certifikimit të subjekteve politike është e qartë dhe nuk le vend për interpretime politike. “Ligji është i qartë: çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative. Kufizimet për kandidatët vlejnë vetëm në rastet e papërshtatshmërisë juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit,” tha Cakolli.

Duke e akuzuar KQZ-në se po e kthen administrimin e zgjedhjeve në “teatër politik”, ai theksoi se vendimi i saj do të rrëzohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ashtu siç ka ndodhur në raste të ngjashme të mëparshme, të cilat janë ndryshuar më pas edhe nga Gjykata Supreme.

“Përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale. Çdo vendim i tillë do të ishte i kontestueshëm,” theksoi ai.

Cakolli paralajmëroi se përdorimi i KQZ-së si fushëbetejë politike dëmton rëndë Kosovën duke cenuar kredibilitetin e zgjedhjeve dhe duke i ofruar Beogradit armë të reja propagandistike në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP