Cakolli: Lista Serbe po përdor emrin e Radoiçiqit në fushatë, PZAP duhet të veprojë
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar lidhur me hapjen e fushatës së Listës Serbe duke e cilësuar atë si shembull të retorikës nxitëse dhe gjuhës fyese që kjo parti pothuajse gjithmonë përdor ndaj institucioneve të Kosovës.
Ai tha se kjo qasje provokuese u pa qartë edhe në fillimin e fushatës së tyre, ku u shfaq një baner me emrin “Milan”, që sipas tij është tentuar të kamuflohet si emër i kandidatit të LS-së për kryetar komune, por në fakt bart konotacionin e kryeterroristit Milan Radoiçiq.
“Kjo çështje mund dhe duhet të adresohet në PZAP. Atje, Lista Serbe ose do të detyrohet të distancohet publikisht nga emri i Radoiçiqit duke e lidhur qartë përdorimin e emrit ‘Milan’ me kandidatin e tyre, ose do të gjobitet rëndë. Ose edhe të dyja bashkë,” deklaroi Cakolli.
Ai shtoi se për ta fituar këtë rast, si në aspektin ligjor ashtu edhe politik, përfaqësuesit e partisë në pushtet, në vend që të akuzojnë shoqërinë civile për “mosreagim”, duhet të ndjekin procedurat e ankesës në organet kompetente.
“Për këtë u kanë mbetur edhe rreth 24 orë nga afati ligjor,” përfundoi Cakolli. /Kosova.info/
