Cakolli: Kuvendi nuk po dështon për numra, por për mungesë vullneti e përgjegjësie
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituivin e Kuvendit të Kosovës duke theksuar se bllokada nuk lidhet me mungesë numrash, por me mungesë vullneti politik dhe përgjegjësie nga subjektet parlamentare.
“Konstituimi i Kuvendit nuk po dështon më për mungesë numrash, por për mungesë vullneti dhe përgjegjësie. Ata që duhet ta zgjidhin situatën, po zgjedhin me vetëdije taktika që nuk çojnë askund. Prandaj, seanca e sotme ishte thjesht një episod tjetër i absurditetit parlamentar,” ka deklaruar Cakolli.
Ai kritikoi propozimin e kandidaturave për kryetar Kuvendi pa një marrëveshje politike duke e cilësuar këtë si një insistim të qëllimshëm për ta mbajtur institucionin të bllokuar. Po ashtu, Cakolli vuri në pah edhe sjelljen jo-konsistente të kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
“Në seancën e kaluar lejoi dy kandidatura, sot vetëm një. Për më tepër, ai po vazhdon t’i thërrasë seancat në afatin maksimal 48 orësh – edhe pse ka të drejtë dhe do të duhej t’i thirrte më shpesh, madje disa herë brenda ditës, derisa të votohet një kandidat/e me të paktën 61 vota,” theksoi ai.
Sipas Cakollit, mënyra e menaxhimit të seancave nga Dehari nuk është neutrale, por është kthyer në pjesë aktive të problemit. /Kosova.info/
