Cakolli: KQZ po krijon precedent të rrezikshëm me shpalljen selektive të rezultateve

Analisti i zgjedhjeve dhe përfaqësuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) duke i cilësuar si shkelje të rënda ligjore dhe arbitraritet institucional shpalljen e rezultateve “të pjesshme” zgjedhore.

Sipas Cakollit, përtej shkeljes fillestare të ligjit – shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor 48-orësh për ankesa – KQZ ka shkuar edhe më tej duke formalizuar një praktikë tërësisht të kundërligjshme, përmes shpalljes së rezultateve jo për të gjitha subjektet politike.

“Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve”, ka theksuar ai.

Cakolli vlerëson se kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet në nivel opinioni politik pa pretendime konkrete për shkelje ligjore duke shtuar se situata e krijuar është absurde. Sipas tij, nëse anëtarët e KQZ-së kishin dyshime reale për rezultatet, ata duhej t’i drejtoheshin mekanizmave ligjorë të ankesës, e jo të bllokonin apo lejonin rezultate përmes votimit politik brenda institucionit.

“Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Kjo duhej të zgjidhej përmes ankesës në PZAP apo në Gjykatën Supreme”, ka deklaruar Cakolli duke shtuar se shmangia e këtij hapi është bërë me vetëdije për epilogun ligjor që do të pasonte.

Ai ka theksuar se KQZ po sillet sikur ka kompetencë të vendosë se kush hyn në fazën pas shpalljes së rezultateve dhe kush jo, kompetencë që nuk i njihet me ligj. Për këtë situatë, sipas tij, përgjegjësi mban edhe Kryesuesi i KQZ-së, i cili ka lejuar ndarjen artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore.

“Problemi kryesor nuk është vetëm dita e sotme, por precedenti që po krijohet. Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen po ashtu në mënyrë selektive. Kështu procesi zgjedhor pushon së qeni proces ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve”, ka përfunduar Cakolli.

Sipas tij, kjo qasje përbën arbitraritet institucional dhe dëmton rëndë besueshmërinë e procesit zgjedhor në vend. /Kosova.info/

Go to TOP