Cakolli: Janë numëruar vetëm 7% e kutive postare, LVV aktualisht projektohet në rreth 52 mandate

Sipas të dhënave të publikuara nga Eugen Cakolli nga KDI, procesi i numërimit të votave me postë është ende në fazë të hershme, ndërsa rezultatet përfundimtare mund të ndikojnë në shpërndarjen e mandateve në Kuvend.

Cakolli ka bërë të ditur se nga 85,790 zarfe me postë të pranuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë shqyrtuar mbi 60 mijë, prej të cilave rreth 2,500 janë refuzuar.

“Nëse trendi aktual i refuzimit prej rreth 4% vazhdon deri në fund, numri i votave të vlefshme me postë pritet të jetë afërsisht 82,500”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se numërimi është ende larg përfundimit, pasi në faqen e rezultateve të KQZ-së aktualisht janë përfshirë rezultatet e vetëm 57 kutive postare të numëruara, ndërsa deri në fund të procesit pritet të numërohen rreth 200 kuti.

“Kjo nënkupton se deri më tani janë numëruar vetëm rreth 7% e kutive që pritet të numërohen në total”, ka sqaruar Cakolli.

Sipas tij, trendet e votimit me postë dallojnë nga ato të votimit në ambasada dhe konsullata.

Bazuar në përqindjet aktuale të votave me postë, projeksionet tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje do të ishte në zonën e 52 mandateve. Megjithatë, ai vlerëson se gara për të paktën dy mandate të tjera mbetet e hapur mes partive politike.

“Rezultati përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të shpërndahen votat në pjesën e mbetur të procesit të numërimit”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/

Go to TOP