Kusari: Dy fitore të mëdha për lirinë e medias, Kushtetuesja rrëzon ankesën e KPM-së dhe gjykata dënon kërcënuesin e Berat Buzhalës

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme dy vendime të fundit të institucioneve të drejtësisë duke i cilësuar ato si dëshmi se sistemi gjyqësor mbetet mbrojtësi më i fuqishëm i lirisë së medias dhe gazetarëve në Kosovë.

Sipas saj, vendimi i parë ka të bëjë me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk e ka pranuar ankesën e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) kundër vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e një neni që kishte mundësuar largimin e Jeton Mehmeti nga pozita e kryetarit të KPM-së dhe zgjedhjen e Besnik Berisha në këtë funksion.

Kusari rikujtoi se në prag të përfundimit të mandatit të Mehmetit, KPM kishte ndryshuar një rregullore, ndërsa më pas Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte kërkuar në Gjykatën Supreme shfuqizimin e dispozitës përkatëse. Pas vendimit të Supremes, edhe Gjykata Administrative kishte shpallur të paligjshëm emërimin e Berishës si kryetar.

Ajo theksoi se vendimi i Kushtetueses dërgon një mesazh të qartë se KPM nuk mund të ndryshojë akte nënligjore për të akomoduar interesa politike apo interesa të tjera dhe se ndryshimet e rregullave duhet të kalojnë përmes konsultimit publik.

Ndërkaq, Kusari përshëndeti edhe trajtimin e shpejtë të rastit të kërcënimit ndaj gazetarit Berat Buzhala. Sipas saj, vetëm 18 ditë pas incidentit të ndodhur më 19 maj, personi i dyshuar është dënuar me gjobë pas ngritjes së menjëhershme të aktakuzës.

Ajo e cilësoi këtë si një zhvillim shumë pozitiv për sigurinë e gazetarëve duke lavdëruar Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokurorinë dhe Policinë për veprimet e tyre. /Kosova.info/

Go to TOP