Cakolli: Deputetët shpërblehen për dështimet – 300 mijë euro për Kuvendin e bllokuar

Kuvendi i Kosovës është i bllokuar tash e një muaj e gjysmë, me 24 dështime radhazi për të mbajtur seanca plenare. Por kjo nuk ka qenë aspak problem për deputetët – të cilët sot janë shpërblyer financiarisht, pavarësisht mungesës së punës.

Sipas analistit të KDI-së, Eugen Cakolli, deputetët kanë marrë nga 2,600 euro shtesë në llogaritë e tyre bankare si kompensim, megjithëse Kuvendi ka qenë jofunksional. Në total, bëhet fjalë për mbi 300 mijë euro të paguara nga taksat e qytetarëve – për më pak se dy orë punë efektive dhe pa asnjë vendim të marrë.

“24 dështime radhazi. Mbi 300 mijë euro. Asnjë rezultat. Dhe asnjë përgjegjësi,” ka shkruar Cakolli duke kritikuar mungesën e llogaridhënies institucionale.

Ndërkohë, qytetarët e zhgënjyer po shohin se si fondet publike shpërndahen për mos-punë, në vend se të përdoreshin për nevoja reale të vendit. Kuvendi vazhdon të mbetet i paralizuar, pa ndonjë zgjidhje në horizont. /Kosova.info/


Go to TOP