Cakolli: Afati kushtetues prej 30 ditësh po digjet, mungon vullneti për kompromis politik
Analisti dhe njohësi i çështjeve zgjedhore, Eugen Cakolli, ka reaguar pas takimit konsultativ të liderëve politikë duke shprehur shqetësimin e tij për mënyrën si po trajtohet afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Sipas Cakollit, ky afat përfaqëson një shans të ofruar nga Kushtetuesja për ta rikthyer procesin politik në binarët kushtetues – por ky shans, sipas tij, po digjet.
“Kjo, në radhë të parë, për shkak të mungesës së vullnetit për kompromis politik, e së dyti, për shkak të insistimit në taktika bllokimi kundërkushtetuese”, theksoi Cakolli.
Ai e quajti afatin 30-ditor si një vijë ndarëse kushtetuese, përtej së cilës nuk duhet të lejohet asnjë relativizim apo shtyrje politike. Çdo përpjekje për të diskutuar se “çfarë ndodh pas 30 ditëve”, sipas tij, është devijim nga qëllimi i aktgjykimit.
“Pyetja e vetme që duhet të shtrohet është ‘çka duhet të ndodhë brenda 30 ditëve?’. Diskutimet për pas kësaj periudhe janë tentativë për ta relativizuar shkeljen dhe përgjegjësinë, si dhe për ta normalizuar krizën”, shtoi ai. /Kosova.info/
