Burim Ramaj nga Stublla e Vitisë shpallet doktor shkence në Universitetin e Friburgut

Në një ceremoni solemne të organizuar në Universitetin e Friburgut në Zvicër, studiuesi shqiptar Burim Ramaj u nderua me titullin doktor shkence për temën e tij: “Pluralizmi juridik sipas kanunit shqiptar”.

Mentori i tij, Prof. Dr. René Pahd de Mortanges, vlerësoi lart punimin e Burimit, duke theksuar rëndësinë shkencore dhe kulturore të trajtimit të së drejtës zakonore shqiptare përballë gjykatave shtetërore.

Në këtë ceremoni ku u diplomuan shtatë kandidatë me tituj doktorësh shkence, morën pjesë edhe familjarë dhe miq të afërt të doktorit të ri, mes tyre edhe babai i tij, Marian Ramaj, një punëtor krahu me shpirt arsimdashës nga Stublla e Vitisë, i cili arriti ta shihte djalin e tij në majat më të larta akademike.

Burimi, që u largua nga Kosova në moshën vetëm dyvjeçare, përfaqëson sot shembullin e sukseseve të brezit të ri shqiptar në Zvicër. Ai ndau këtë moment të veçantë me miqtë e tij dhe me poetin Musa Jupolli, i cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje mbresëlënëse.

Ndërkohë, brenda pak ditësh, edhe një shqiptare tjetër, Doriela Grabocka (Dori) nga Korça, do të marrë diplomën e doktoraturës në ETH Cyrih, duke bërë që Zvicra të jetë sërish dëshmitare e suksesit të talenteve shqiptare në fushën e shkencës./ Kosova.info/


Go to TOP