Bujqit shfrytëzojnë kohën e mirë, përgatiten për mbjelljet pranverore

Fermerët kanë nisur të përgatiten për mbjelljet pranverore. Kushtet e mira klimatike po u ndikojnë atyre që të bëhen gati që gjatë prillit të nisin me mbjelljen e misrit. Megjithatë, planet mund t’i prishin kushtet klimatike

Tashmë bujqit kanë filluar përgatitjet për mbjelljet pranverore. Njësoj edhe fermeri Valon Vehapi. Sipas tij, kushtet klimatike janë të favorshme për mbjellje.

Vehapi planifikon t’i mbjellë rreth 70 hektar me misër.

“E kemi bërë hedhjen e plehut. Tash e bëjmë përgatitjen e tokës edhe e lëmë të gatshme për mbjellje, mirëpo 1 javë përpara i biem edhe me një rrafshues. Kushtet klimatike sivjet janë shumë të favorshme për arsye se është një pranverë e terur, nuk është një pranverë siç ka qenë me lagështi si vitet e kaluara që është bërë shtyrja e mbjelljes”, tha për RTK-në, Valon Vehapi, fermer.

Përgatitjet i ka bërë edhe fermeri tjetër, Gani Dobratiqi. Sipas tij, për shkak të thatësisë, mund të ketë problem me mbirjen e misrit.

“Tokën e kam bërë gati, përgatitjen e kam bërë në vjeshtë dhe tash vetëm e pres kohën optimale të mbjelljes së misrit. Nëse vazhdojnë këto thatësira do të ketë problem edhe për misër, sepse kur ka thatësi, ndikon në gjithçka dhe nuk do të ketë rendiment të mirë”, tha Dobratiqi.

Për mbjelljet pranverore foli edhe profesori universitar i Bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Këto viteve të fundit gjithmonë po përballemi me ndryshimet klimatike. Ky nuk është një problem që po na atakon vetëm neve, por në nivel të globit në përgjithësi. Ne druajmë vetëm për prillin që mund të ketë oscilime të temperaturave, në kuptim të ekstremit negativ. Gjithmonë frikën kryesore ia kemi muajit prill dhe temperaturave të ulëta. Për dallim nga vitet tjera, meqë mbretëroi një vit i ngrohtë për janarin e shkurtin, një pjesë e fermerëve kanë filluar me përgatitjet për mbjelljen pranverore”, tha Rusinovci.

Ai tutje iu bëri thirrje fermerëve që gjatë tërë këtij procesi të jenë të kujdesshëm.

Go to TOP