Bllokohet rruga, shkak aktiviteti në lokalet afër ‘Tregut të Gjelbër`
Që nga mëngjesi i sotëm rruga ‘Xhemajl Prishtina’ në Prishtinë, për orë të tëra mbeti e bllokuar për lëvizjen e makinave.
Shiritat iu vendosën, e rruga ‘Xhemajl Prishtina’, për orë të tëra mbeti e bllokuar për qarkullimin e makinave.
Shumë qytetarëve sot nuk iu mundësua lëvizja e tyre nga vendosja e këtyre shiritave nga Policia. Kjo si shkak i ardhjes se një zyrtare të zyrës për çështje gjinore e UNMIK-ut, e cila është planifikuar të marrë pjesë në një aktivitet të lokalet afër Tregut të Gjelbër, në Prishtinë.
Kjo revoltoi edhe tregtarët të cilët veprojnë në këtë rrugë. “Jo veç këtu, po në gjitha anët po i bllokojnë rrugët. Këtu nuk ka përmirësim. Për një lokal e kanë mbyllë rrugën, nuk ka përmirësim këtu”, tha për RTK, një tregtar.
Sanije Murati, drejtoreshë e Organizatës Joqeveritare ‘Lady’, njoftoi se kërkesën për bllokimin e rrugës për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve të lartë në hapje të lokalit, e kishin bërë shumë kohë më parë.
“Ka qenë kërkesa e UNMIK-ut dhe kërkesa jonë, se sot kanë me qenë ambasadorët e huaj dhe njerëz të rëndësishëm. Ka qenë normale, çdo aktivitet që ata organizojnë e bllokojnë”,tha Murati.
Pas vizitës se shefes se zyrës për çështje gjinore nga UNMIK-u dhe përfaqësuesve tjerë të institucioneve, të cilët morën pjesë në aktivitetin e hapjes së dy pikave të shitjes për produktet e krijuara nga gratë e të gjitha komuniteteve nga e gjithë Kosova, rruga u hap për qarkullim.
