Bllokimi i një rruge në veri, deklarohen nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës është deklaruar pasi u raportua sot se një rrugë në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak është bllokuar nga persona të panjohur.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Bube të komunës së Zubin Potokut, e ku një patrullë policore ka vërejtur se në rrugë ishin vendosur disa pengesa me dru, që sipas tyre ishin vendosur për të penguar qarkullimin e automjeteve.

Policia sipas njoftimit ka larguar drunjtë dhe e ka hapur rrugën për qarkullim.

Njoftimi i plotë:

 Policia Kufitare nga Stacioni  i Zubin Potokut kanë intensifikuar patrullimet dhe aktivitetet patrulluese e hetimore me qëllim parandalimin e dukurive të kundërligjshme në kufi. Më  datën  03.03.2022 në orën 20:15 , në fshatin Bube, komuna e Zubin Potokut,  patrulla policore në rrugë  ka vërejtur të vendosura disa pengesa  me  drurë  të cilat ishin  vendosur në rrugë me qëllim për të  penguar qarkullimin e automjeteve.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësi të tjera patrulluese kufitare dhe kanë larguar pengesat (drunjtë)  për  të liruar për qarkullim rrugën dhe  për të mundësuar lëvizjen e lirë në këtë lokacion.

Policia e Kosovës  është duke kryer hetime lidhur me rastin përderisa është e përkushtuar drejt realizimit të objektivave strategjike për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe krimin transkufitar. Të gjitha veprimet policore ndërmerren në bashkërendim me autoritetet kompetente vendore.

Go to TOP