Bllokimi i llogarive bankare lë pa paga një pjesë të punëtorëve në Telekom

Një pjesë e punëtorëve të Telekomit, kanë mbetur pa paga për pasojë të bllokimit të llogarive pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin 5.7 milionësh ndaj Z-Mobile.

Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, i ka bërë thirrje Prokurorisë së shteti të mos lejojë shkatërrimin e Telekomit.

Telekomit të Kosovës i janë bllokuar llogaritë, pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin 5.7 milionësh ndaj Z-Mobile. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj, tha për Radio Kosovën, se për pasojë të këtij veprimi, vetëm gjysma e punëtorëve janë paguar ndërsa një pjesë tjetër deri në zhbllokim të llogarive kanë mbetur pa pagë.

“Për sa i përket pagave të punëtorëve, një pjesë i kanë marrë pagat, për shkak se jemi në fazën e investimeve, një pjesë nuk e kanë marrë pagën dhe kjo është më e pakta që mund të ndodhë”, tha Balaj.

Ai tha se do të ndërmarrin të gjithë hapat ligjorë që tërheqja e mjeteve të mos ndodhë. Balaj i bëri thirrje Prokurorisë së shteti që të mos lejojë shkatërrimin e Telekomit, që sipas tij, në këtë rast janë të përfshirë gjyqtarë të korruptuar të cilët brenda ditës e kanë marrë këtë vendim ndaj Telekomit.

” I bëjmë thirrje Prokurorisë së shtetit, mos t’i lejojë këta gjyqtarë që janë të korruptuar, që po punojnë bashkë me krimin e organizuar, ta shkatërrojnë Telekomin duke marrë mjete që nuk u takojnë. Ne do t’i ndërmarrim të gjithë hapat ligjorë në këtë rast dhe të shohim se çfarë do të bëjmë tutje”, tha ai.

Telekomi ishte ankuar javë më parë për vendimin e Komerciales, duke e cilësuar të jashtëligjshëm e kriminal. Kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, e pati akuzuar gjyqtarin e rastit se është i përfshirë në skemë kriminale. Aktvendimi i Komerciales e obligon Telekomin t’ia paguajë “Dardafonit” 5.7 milionë euro, dhe kjo pasi mbi 40 milionë sa ia ka paguar më parë po kësaj kompanie.

Go to TOP