Biserko: Serbia po përdor serbët në Kosovë për të destabilizuar situatën në Veri

Serbia nuk ka hequr dorë nga krijimi i Serbisë së Madhe dhe për këtë po i instrumentalizon serbët në rajonin e Ballkanit. Kështu thotë në një intervistë kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Biserko thotë se Serbia nuk është duke respektuar marrëveshjet e Brukselit dhe se po përdor serbët në Kosovë për të destabilizuar situatën.

Zonja Biserko, ku mendoni se qëndron problem i mos zbatimit të marrëveshjes së Brukselit?

Sonja Biserko: Është problem mjaft i qartësuar deri tani. Së pari Beogradi nuk ka treguar dëshirë dhe gatishmëri që në dialog të hyjë duke e pranuar realitetin, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës, sepse siç po e shohim gjatë kohës po sfidohet ky fakt dhe shumë marrëveshje të tjera. P.sh: kemi marrëveshjen  për tabela, ose tërheqja e serbëve nga  të gjitha institucionet, vendosja e barrikadave etj. Pra, të gjitha ato çështje që Kosova është munduar t’i zbatojë nga ato marrëveshje, janë mohuar ashpër duke u kërkuar vazhdimisht shtyrje  dhe gjëra të ngjashme nga ana e Serbisë. Pra, nuk ka vullnet që ai dialog të përfundojë dhe të pranohet ky realitet i ri në rajon. Por këtu përgjegjësinë kryesore e mban Beogradi. Siç po e shohim, Bashkimi Evropian dhe  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas fillimit të luftës në Ukrainë, janë kthyer në rajon me disa prioritete dhe  zgjidhjen e disa çështjeve që lidhen me Kosovën duke e neutralizuar ndikimin e Rusisë në Ballkan. Ata po mundohen që të ndalojnë tensionet e reja, apo disa trendë negativë në rajon të cilët janë nxitur shumë në dhjetë vitet e fundit. Tash po shohim që në këtë drejtim është duke u munduar të bëhet diçka ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përmes dy marrëveshjeve të reja, asaj të Brukselit dhe të Ohrit, por që presidenti serb menjëherë ka deklaruar se ai nuk e ka nënshkruar atë marrëveshje dhe se ajo nuk  është e obligueshme. Është e rëndësishme të theksohet që në Serbi ka ende njerëz nga elita politike që besojnë se luftën në Ukrainë do ta fitojë Rusia dhe kjo do të ndryshojë gjendjen e Serbisë në favor të saj në rajon. Mendoj  që ky është  një  iluzion. Në anën tjetër kemi ambasadorin amerikan në Serbi, Kristofer Hill, i cili ka për qëllim që ta tërheqë Serbinë drejt integrimeve euro-atlantike, por që duket se është e diskutueshme nga ajo që kemi parë deri tani, sepse presidenti Aleksandër Vuçiq, edhe pse i është ngushtuar  rrethi i veprimit, sërish vazhdon t’i manipulojë serbët  përmes disa veprimeve.  

A ka ndikuar dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në përmirësimin e situatës së serbëve në veri të Kosovës?

Sonja Biserko: Fatkeqësisht serbët lokalë i vuajnë pasojat më së shumti, sepse janë instrumenti i Beogradit që nga 2012, kur është themeluar “Lista Serbe.” Që nga ajo kohë ka qenë e qartë që ajo do të jetë në funksion të Serbisë, duke destabilizuar Kosovën edhe përmes mosmarrëveshjeve në parlament, sepse serbët kanë të drejtën e vetos në disa çështje kryesore. Ata nuk përfaqësojnë interesat e serbëve në Prishtinë dhe kjo, mendoj, se është problemi i tyre, sepse interesi dhe qeverisja e tyre menaxhohet nga Beogradi, i cili në fakt ndjek interesat e tij më shumë se ato të serbëve lokalë, duke bllokuar kështu integrimin e tyre. Ka disa shembuj pozitivë të integrimit të serbëve por që fatkeqësisht mediet tona nuk raportojnë për to, zakonisht raportojnë vetëm për gjëra negative se si Kosova është shtet mafioz apo se si kryeministri Albin Kurti është radikal ose diçka të tillë. Dhe pastaj kthehemi dhe provojmë të flasim për një proces të normalizimit që është larg saj ku mungon krijimi i një lloj atmosfere që do të çonte në normalizim si në rrafshin politik dhe atë jetësor. Pra, në nivelin e komunikimit  jo vetëm të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, por në ndërmjet dy shteteve. Prandaj nuk janë plotësuar kushtet për një dialog që do të mund të quhej i suksesshëm, por që kryesisht po bëhet nën presionin e Bashkimit Evropian, mbi të gjitha të Amerikës, pa praninë e të cilës Mirosllav Lajçak nuk do të bënte asgjë.

Zonja Biserko, si i shihni zgjedhjet në veri të Kosovës?

Sonja Biserko:  A e dini si, fillimisht bashkësia ndërkombëtare  i garantoi  Qeverisë së Kosovës se serbët lokalë do të dalin në këto zgjedhje, por ata nuk dolën, ndërkohë ndihej nevoja që të mbushej disi ai boshllëk ligjor, i cili edhe është karakteristikë e veriut të Kosovës, sepse në veri nuk mbizotëron sistemi i drejtësisë, as i Kosovës e as ai i Serbisë, por veriu është vetëm një siç do të thosha, çerdhe e krimit. Natyrisht serbët e vetëdijshëm për këtë dhe në momentin kur janë vendosur kryetarët e komunave, të cilët nuk kanë legjitimitet, sepse serbët nuk kanë dashur të marrin pjesë në to, kanë filluar të ballafaqohen me KFOR-in dhe të gjitha ngjarjet që kanë pasuar më tutje. Pastaj deputetët kanë bërë thirrje që këto zgjedhje të mbahen në vjeshtë apo në fund të vitit. Nuk mendoj që ky proces do të shkojë aq lehtë kurdo që do të mbahen zgjedhjet. Serbët duhet ta kuptojnë që këtë herë duhet të dalin në zgjedhje dhe ta marrin në dorë të ardhmen e tyre në Kosovë. E tëra çfarë po bënë Serbia është në kundërshtim me mbijetesën e serbëve në Kosovës. Ajo bënë vazhdimisht thirrje për distancim  nga shqiptarët, gjë që e ka bërë me serbët në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, tashmë këtë po e bënë edhe në Mal të Zi. Nuk është asgjë e re kjo përpjekje e saj që ta ndalë integrimin e serbëve në ato shoqëri ku janë duke jetuar.

A mendoni se është e mundur të ketë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës duke respektuar interesat e të dy palëve?

Sonja Biserko: Mendoj që në fillim, që në luftërat e ish Jugosllavisë,  vendimet janë marrë në emër të popujve, e jo qytetarëve. Kjo u bë në Bosnje e Hercegovinë. E para kësaj  u bë në Kroaci, e cila përmes disa marrëveshjeve ndërkombëtare, arriti t’i ri-integrojë disa territore të saj, të cilat tashmë ishin braktisur nga serbët, me ndihëm e Beogradit dhe përkrahjen e  Zagrebit. Serbët në  Bosnje dhe Hercegovinë,  Sarajevën nuk e shohin si vend të tyre e që këtë e dëgjojmë çdo ditë nga Millorad Dodik. Prandaj në rastin e Kosovës kjo është një pyetje e madhe sepse ne jemi mësuar me narracione të tilla publike në rajon e që janë mjaft toksike.

Pra, me këtë  politikë  të Aleksandër Vuçiqit në Serbi, nuk mendoni që do të këtë zgjidhje, qetësi në Ballkan?

Sonja Biserko: Po nuk ka zgjidhje me elita politike nacionaliste që po e mbajnë pushtetin për të mbrojtur statuset e tyre politike, përmes narracioneve të tillë siç është ajo se populli serb është i shtypur kudo që jeton. Dhe, përmes tezave të tilla është duke vazhduar t’i destabilizojë ato vende, të cilat edhe ashtu nuk janë të konsoliduar për faktin që Serbia edhe ashtu de-facto nuk i ka njohur kufijtë e tyre. Në thelb, Serbia përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësive serbë në këto vende  ku përmes instrumentalizmit të serbëve lokalë po dërgon mesazhe që nuk e pranon realitetin e ri në rajon. Problemi është në Beograd. Unë nuk po them që këto shtetet për të cilat po flasim nuk kanë i problemet e tyre të brendshme, të cilat edhe mund të jenë burim i tensioneve, por fakti kryesor është që Beogradi nuk po e pranon realitetin e ri të krijuar në rajon. Të njëjtën retorikë e përdorë sot Rusia në luftë me Ukrainën dhe fatkeqësisht bashkësia ndërkombëtare nuk ka mësuar nga luftërat në ish- Jugosllavi, kur bota serbe është  shumë e afërt me botën ruse. Pra nuk është kuptuar se ideja për Serbinë e Madhe nuk është mposhtur, por vetëm është heshtur për një kohë. Dhe e tërë politika zyrtare e Beogradit vazhdon të udhëhiqet mbi këtë çështje. Në uebfaqen e Qeverisë së Serbisë për shembull kemi Strategjinë për Diasporën në Rajon ose Karta për Hapësirën Kulturore Serbe, përmes së cilës ka ambicie që një ditë të shndërrohet në hapësirë politike për serbët e rajonit. Pra, në mënyrë absolute serbëve në rajon nuk u lejohet të jenë të pavarur në vendimet e tyre, ose në vendet ku ata jetojnë.

Si  janë duke u trajtuar të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës?

Sonja Biserko: Kjo është çështje e pakicave, e cila në mënyrë ligjore në Serbi është e rregulluar pak a shumë në përputhje me disa standarde evropiane. Pra janë këshillat kombëtarë, mandati i të cilëve është të merren me çështje të identiteteve nacionale. Megjithatë Serbia nuk ka politikë gjithëpërfshirëse  për integrimin e pakicave, prandaj  korniza ligjore që ekziston më shumë shërben për ndarjen e tyre, p.sh kemi rastet  e shuarjes së adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilët janë çregjistruar nga listat, duke ua mohuar të gjitha të drejtat si qytetarë. Me vite të tëra serbët dhe shqiptarët kanë shkuar në diasporë për të punuar dhe ndërkohë Serbia ka miratuar një ligj që shfuqizon individët që  nuk janë të regjistruar në adresat e paraqitura. Por kjo aplikohet vetëm për shqiptarët. Deri tani nuk kemi pasur asnjë rast të paraqitur për ndonjë serb. Për këtë ne kemi bërë një raport, ku kemi qenë dhe kemi biseduar me përfaqësuesit e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanovcit. Ky raport është diskutuar edhe në BE dhe sa ka ndikuar kjo në ndryshimin e qëndrimit të Serbisë, nuk e di këtë?!.

Go to TOP