Binakaj: Nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë pa kthimin e eshtrave të të zhdukurve të luftës
Më 27 prill 1999, në Mejë të Gjakovës ndodhi njëra nga masakrat më të rënda gjatë luftës në Kosovë, ku forcat serbe vranë dhe masakruan 376 civilë shqiptarë, shumica prej të cilëve ende sot e kësaj dite figurojnë të zhdukur.
Endrit A. Binakaj, i mbijetuar i kësaj masakre, ka bërë thirrje për më shumë presion ndaj Serbisë, në mënyrë që të kthehen eshtrat e të rënëve.
“Mekanizmat vendorë dhe sidomos ata ndërkombëtarë duhet t’i bëjnë presion Serbisë që të kthehen eshtrat e të rënëve në luftën e fundit në Kosovë. Familjarët e të zhdukurve tash e 26 vjet jetojnë në ankthin e pritjes,” ka deklaruar Binakaj.
Ai thekson se nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë pa kthimin e eshtrave të mbi 1600 shqiptarëve të vrarë nga regjimi barbar i Millosheviçit.
“Në përulje të përjetshme para veprës së tyre. Lavdi!”, përfundon mesazhin e tij Endrit A. Binakaj. /Kosova.info/
