Biden refuzon të tërhiqet: Duhet ta mposhtim Trumpin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një letër drejtuar demokratëve të Kongresit, u shpreh kundër thirrjeve që ai të heqë dorë nga gara për rizgjedhje.

Biden kërkoi, po ashtu, që t’i jepet fund “dramës brendapartiake”, e cila i ka përfshirë demokratët që nga performanca e tij e dobët në debatin me kundërkandidatin republikan, Donald Trump.

Në letrën prej dy faqesh, Biden tha se partia ka “një punë” dhe ajo është ta mposhtë Trumpin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Kemi 42 ditë deri te Konventa Demokratike dhe 119 ditë deri te zgjedhjet e përgjithshme”.

“Çdo dobësim i vendosmërisë ose mungesë e qartësisë për detyrën që kemi, vetëm se e ndihmon Trumpin dhe na dëmton neve. Është koha për t’u bashkuar, për të ecur përpara si një parti e bashkuar dhe për ta mposhtur Donald Trumpin”, tha Biden.

Biden e ka pranuar se në debatin me Trumpin, më 27 qershor, nuk ka pasur paraqitje të mirë, por ka thënë se rizgjedhja e Trumpit “do ta shkatërronte demokracinë”.

Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë pretendime të rreme.

Disa sondazhe të opinionit që janë bërë pas debatit, kanë treguar po ashtu rënie të mbështetjes për presidentin aktual.

Go to TOP