Beteja për Deltarin Ilir: “Mision i pamundur” drejt njohjes europiane të racës autoktone
Procesi për ruajtjen, kultivimin dhe njohjen ndërkombëtare të racës autoktone të Deltarit Ilir po zhvillohet mes vështirësive të shumta, duke u cilësuar si një “mision i pamundur”. Kjo betejë po udhëhiqet nga Sokol Plakolli, kultivues i Deltarit Ilir, i cili prej vitesh është i angazhuar drejtpërdrejt në mbrojtjen dhe mbarështimin profesional të kësaj race autoktone.
Synimi kryesor mbetet njohja e Deltarit Ilir nga Federata Kinologjike e Europës, një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe i mbushur me sfida serioze. Përveç dy problemeve të evidentuara me kohë – përzierja e racës autoktone me raca të ngjashme dhe mbarështimi me afërsi gjaku (incest) – së fundmi është paraqitur edhe një pengesë e re:
mikroçipët identifikues, të cilët Kosovën e shënojnë si rajon XK e jo RKS – Republika e Kosovës, si dhe mungesa e validitetit të tyre jashtë territorit të Kosovës. Kjo problematikë po e vështirëson seriozisht dokumentimin dhe avancimin e procesit për njohjen zyrtare të racës.
Edhe pse Federata Kinologjike e Kosovës tashmë është pranuar në Federatën Kinologjike të Europës, deri më tani nuk ka pasur asnjë hap konkret që do t’i hapte rrugë njohjes së Deltarit Ilir si racë autoktone e kultivuar dhe e ruajtur me shekuj në trojet e Dardanisë dhe botës ilire. Në takimet e fundit me përfaqësues të Federatës Kinologjike të Kosovës është bërë e ditur se kodi 383 dhe shkurtesa RKS janë të lira për riaplikim të mikroçipëve, por institucionet përgjegjëse vazhdojnë t’ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës, duke e konsideruar procesin të pamundur.
Sipas kultivuesit Sokol Plakolli, përkundër ekzistencës së një ligji për mbrojtjen e racave autoktone, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen dhe promovimin e Deltarit Ilir. Trafikimi i ekzemplarëve vazhdon pa kritere, ndërsa në panairet kinologjike dominojnë racat e huaja. Ndërkohë, mediat fokusohen kryesisht në çështjen e qenve bredhacakë, duke lënë në hije racën autoktone.
Në këtë realitet, Ferma “Kulla e Shkabave”, e udhëhequr nga kultivuesi Sokol Plakolli, mbetet e vetmja fermë në Kosovë që tash e katër vite, me mjete vetanake dhe pa përkrahje institucionale, po merret seriozisht me mbledhjen, ruajtjen dhe kultivimin e Deltarit Ilir. Në fermë aktualisht ruhen rreth 100 ekzemplarë nga 7 linja gjenetike bazë, një punë unike dhe jetike për mbijetesën e racës.
Megjithatë, ferma po përballet me sulme, pengesa dhe mungesë totale vëmendjeje nga institucionet. AVUK ka dhënë konfirmimin për vazhdimin e veprimtarisë dhe ka përcaktuar kriteret për licencim si fermë mbarshtuese, por përkrahja konkrete mungon. Ndërkohë, disa organizata që vetëquhen “për mbrojtjen e kafshëve”, së bashku me disa media, kanë sulmuar vazhdimisht këtë përpjekje profesionale.
Përkundër të gjitha këtyre vështirësive, Sokol Plakolli shprehet i vendosur që procesi të vazhdojë. Edhe pse ferma tashmë posedon 1.5 hektarë tokë në zonë malore që plotëson kriteret e mbarështimit, puna çdo ditë bëhet më e vështirë dhe kërkon investime kapitale.
Megjithatë, qëllimi mbetet i qartë:
Deltari Ilir të njihet zyrtarisht si racë autoktone e Kosovës, e ruajtur dhe e kultivuar me shekuj në trojet tona.
