Berisha i bën thirrje Kryeprokurorit: Të më arrestojë mua për lajmërim të rrejshëm, ose Malokun për abuzim të detyrës
Avokati Besnik Berisha është deklaruar të mërkurën lidhur me arrestimin e tij që u bë ditë më parë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Në një konferencë për media, Berisha ka bërë thirrje Kryeprokurorit të Shtetit që ose ta arrestojë atë ose prokurorin e rastit, Rasim Maloku, pasi ka thënë se “të dy në liri nuk bën”.
“Prokuroria ose duhet të më arrestojë mua prapë për lajmërim të rrejshëm sepse unë po bëj lajmërim që Rasim Maloku ka kryer krim, ose ta arrestojë Rasim Malokun për abuzim të detyrës. Kjo është ftesë publike për Kryeprokurorin e Shtetit se të dy në liri nuk bën”, tha ai.
Sipas Berishës, Maloku ka kryer krim në rastin e arrestimit të tij, duke dalë përtej urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Rasim Maloku në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka kërku urdhëresë për ta bastis zyrën time në rrugën ‘Luan Haradinaj’ që dikur quhej ‘Brigadat e Kosovës’. Urdhëresa është lëshuar të bastiset zyra ime si avokat. Adresën e zyrës e parashtron gabimisht. Me këtë urdhëresë, ky prokuror edhe pse bastisja ishte urdhëruar në një lokacion tjetër, në hapësira tjera ku unë jam pronar, ky person ia mësyn një prone tjetër ku unë qëllova rastësisht”, tha ai.
Më tej Berisha thotë se krimi i dytë që prokurori kreu ndaj tij, është urdhri që t’i sekuestrohet arma e tij me dy leje.
“Krimi tjetër që tregon se e kishte personale e asnjë sen profesionale, është se ka urdhëru Policinë që të sekuestrohen armët pa leje. Rasimi urdhëron Policinë me sekuestru armën time me dy leje. Edhe ky është krim, sepse të dalësh prej urdhëresës është abuzim.
Ai ka reaguar edhe ndaj Shoqatës së Prokurorëve, duke thënë se ata është dashur të reagojnë edhe ndaj veprimeve të prokurorit Maloku.
