Beogradi forcon lidhjet me Moskën
Përderisa Brukseli kërkon nga Serbia hapa konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, Beogradi zyrtar vazhdon forcimin e lidhjeve me Moskën. Me synimin për forcimin e aleancës me Rusinë dhe Kinën, në Beograd u themelua edhe Dega e Shoqatës Historike Ruse, që sipas analistëve atje, tregon orientimin e hapur drejt autoritarizmit dhe largimin nga rruga evropiane.
Në javët e fundit, në Kuvendin e Serbisë u mbajt konferenca “BRICS dhe Serbia”, nën udhëheqjen e Aleksandar Vulin, politikan nën sanksionet amerikane dhe i njohur për lidhjet e tij me Moskën. Paralelisht, në Beograd u themelua Dega e Shoqatës Historike Ruse, me synimin për forcimin e aleancës me Rusinë dhe Kinën, zhvillim që, sipas analistëve, tregon orientimin e hapur drejt autoritarizmit dhe largimin nga rruga evropiane.
“Në një vend tjetër, diçka e tillë do të shihej si një veprim jashtëzakonisht ekstrem dhe anti-shtetëror. Fatkeqësisht, në Serbi është bërë politikë shtetërore. Ky ndikim është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe në kundërshtim me interesat e Republikës së Serbisë, duke i sjellë përfitime vetëm Federatës Ruse”, tha Vlladimir Pajiq, deputet, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.
Se zërat pro-rusë janë sot ndër më të fuqishmit në Serbi, thekson edhe Zoran Vuletiq, kryetar i Forumit Demokratik Qytetar.
“Politika e promovuar nga Aleksandar Vulin, me mbështetjen e autoriteteve dhe të një pjese të publikut, është një tjetër dëshmi e orientimit pro-rus të qeverisë, i cili po e çon Serbinë drejt izolimit”, tha Vulletiq.
Brukseli kërkon nga Serbia hapa konkretë drejt integrimit evropian. Gjatë vizitës në Beograd, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se BE pret përputhje më të madhe me politikën e jashtme evropiane dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Derisa mesazhi është i qartë qe BE-ja e dëshiron Serbinë si partner të besueshëm, dilema mbetet a mund të jetë e tillë ndërsa forcon lidhjet me Rusinë.
