Belgjikë: 3 shqiptarë të plagosur nga të shtënat me armë
Tre persona janë plagosur në një incident me armë zjarri që tronditi qytetin belg të Antwerp pasditen e së mërkurës.
Ngjarja ndodhi në një apartament në lagjen Jesus, në zemër të qytetit, pranë urës Kipdorp dhe Sint-Jacobsmarkt. Raportohet se në këtë incident janë përfshirë disa shtetas shqiptarë, ku tre prej tyre janë plagosur.
Policia belge ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje, tre prej të cilëve janë shqiptarët e plagosur. Të ndaluarit janë të moshës 23 deri në 38 vjeç, por identitetet e tyre nuk janë publikuar ende plotësisht.
Zëdhënësi i policisë lokale, Wouter Bruyns, konfirmoi arrestimin e katër të dyshuarve, duke shtuar se dy prej të plagosurve ndodhen në rrezik për jetën. “Tre prej tyre janë të plagosur, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike,” tha ai për mediat lokale.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por sipas një dëshmitari që drejton një dyqan tatuazhesh, u dëgjuan papritmas tre të shtëna nga një apartament sipër tij.
“Doja të dilja jashtë, kur një burrë hyri papritur në biznesin tim duke bërtitur: ‘Telefononi ambulancën’. Në korridor kishte gjurmë gjaku. Shërbimet e urgjencës mbërritën shpejt dhe gjetën një të plagosur në një banesë. Njësia e zjarrfikësve u thirr për ta nxjerrë burrin me një ashensor me shkallë,” tha dëshmitari.
Pak më vonë, shërbimet e urgjencës morën një telefonatë nga parkimi i makinave në Sint-Jacobsmarkt, ku u gjetën edhe dy persona të tjerë të plagosur rëndë nga armë zjarri.
Policia arrestoi një të katërt pranë parkingut, i cili nuk kishte pësuar lëndime.
Ndërtesa në rrugën Jesus, ku ndodhi ngjarja, është e njohur si rezidencë për qytetarë nga Europa Lindore, kryesisht shqiptarë dhe bullgarë. Disa vite më parë, në këtë rrugë u zbulua një bandë shqiptare droge që furnizonte qytetin me kokainë.
