BE: Të garantohet siguria duke respektuar liritë e ligjshme të qytetarëve

Bashkimi Europian e konsideron protestën e thirrur nga opozita në 6 dhjetor si një ushtrim i lirive të ligjshme të qytetarëve, që duhet të respektohet nga autoritetet pavarësisht se në të njëjtën ditë zhvillohet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Në përgjigje të interesit të A2 CNN, që pyeti Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë mbi zhvillimin njëkohësisht në 6 dhjetor të këtyre dy aktiviteteve, përfaqësuesit e Brukselit shpjeguan se presin garantimin e sigurisë së samitit nga autoritetet shqiptare, duke respektuar njëkohësisht protestën e opozitës.

Mazhoranca socialiste ka akuzuar opozitën se me këtë protestë po cenon interesat e vendit dhe sigurinë e samitit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shkelur edhe zakonet shqiptare të mikpritjes. Ndërsa opozita ka garantuar se protesta do të jetë paqësore, me fokus kundër qeverisë, jo miqve europianë.

Go to TOP