Bastisje në veri: Policia sekuestron armë, municion dhe uniforma ushtarake

Një operacion i gjerë i Policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit ka rezultuar me sekuestrimin e disa armëve të zjarrit, municioneve dhe pajisjeve ushtarake, të cilat janë gjetur gjatë bastisjeve të kryera më 15 tetor 2025, shkruan Kosova.info.

Sipas raportit zyrtar, në një nga bastisjet e zhvilluara në shtëpinë e prindërve të të dyshuarit mashkull kosovar, policia ka gjetur dhe konfiskuar dy automatikë AK-47, një pistoletë, një pushkë ajrore, disa karikatorë, predha dhe thika. Po ashtu, janë sekuestruar edhe uniforma ushtarake dhe emblema, që dyshohet se i përkasin forcave të sigurisë serbe.

“I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Në një rast tjetër, gjatë bastisjes në fshatin Mikinic të Leposaviqit, policia ka gjetur një automatik AK-47, 55 fishekë, një predhë, dy këmisha me emblema të policisë serbe dhe një jelek ushtarak. Personi i dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka theksuar se aksioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për çarmatosjen dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në zonën veriore të vendit, e cila shpesh është shndërruar në vatër të veprimtarive kriminale që lidhen me armëmbajtje pa leje.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë./Kosova.info/

Go to TOP