Arrestohet një person në Podujevë, kapet me 58 bimë kanabisi të kultivuara në shtëpi

Një operacion i Policisë së Kosovës në qytetin e Podujevës ka rezultuar me zbulimin e një plantacioni të vogël të kanabisit brenda një shtëpie private, raporton Kosova.info.

Sipas raportit zyrtar të Policisë, rasti është regjistruar të mërkurën, më 15 tetor 2025, rreth orës 16:50, në rrugën “Afrim Zhitija”. Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit, hetuesit kanë gjetur 58 bimë kanabisi të mbjella në vazo plastike, të cilat dyshohet se ishin kultivuar për qëllime tregtimi.

Të gjitha bimët janë konfiskuar si prova materiale, ndërsa i dyshuari – mashkull kosovar – është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të rastit.

Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar nëse në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë./Kosova.info/

Go to TOP