Thellohet bashkëpunimi Kosovë-Austri, nënshkruhet marrëveshje e re dypalëshe
Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe, duke shënuar një hap të mëtejmë në avancimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Nikolaus Marschik.
Marrëveshja rregullon mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë fitimprurëse nga anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor gjatë periudhës së shërbimit në shtetin pritës, duke krijuar kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Zëvendësministri Ahmeti zhvilloi takim me Sekretarin e Përgjithshëm Marschik, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Në kuadër të vizitës u mbajtën edhe konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë. Delegacioni i Republikës së Kosovës u kryesua nga Zëvendësministri Ahmeti, ndërsa delegacioni austriak nga Ambasadorja Elisabeth Kornfeind.
Gjatë konsultimeve u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, marrëveshjet në proces, organizimin e forumit të ardhshëm ekonomik mes Kosovës dhe Austrisë, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e konsultimeve të rregullta politike dhe për orientimin e bashkëpunimit drejt rezultateve konkrete dhe nismave të reja dypalëshe.
