Baraliu: LDK-ja e ka tashmë kryetarin e ri – Ermal Sadiku është reforma e vërtetë
Analisti politik Bleron Baraliu ka reaguar me një qëndrim të drejtpërdrejtë lidhur me të ardhmen e Lidjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke theksuar se partia tashmë e ka brenda saj kryetarin e ri dhe reformën që i nevojitet.
Sipas Baraliut, Ermal Sadiku, deputet në ardhje, përfaqëson ndryshimin e vërtetë dhe frymën e reformës në LDK. Ai ka kritikuar opsionet e vjetra dhe rikthimin e figurave të konsumuara politike duke theksuar se “kjo është reformë, jo Arben Gashi, Lutfi Haziri”, ndërsa ka kundërshtuar ashpër edhe ide të tjera që i ka cilësuar si “lojëra fati” brenda partisë.
Baraliu ka propozuar gjithashtu një strukturë të re udhëheqëse për LDK-në duke sugjeruar që Përparim Rama dhe Doarsa Kica-Xhelili të jenë krahët e majtë dhe të djathtë të Sadikut, në rolin e nënkryetarëve, si pjesë e një ekipi të ri dhe reformues.
Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se Lumir Abdixhiku duhet të mbetet pjesë e kryesisë së LDK-së duke kontribuar në procesin e reformimit të partisë.
Reagimin e tij, Baraliu e ka shoqëruar me mesazhin #zgjidhShpresën duke nënvizuar nevojën për një orientim të ri politik dhe duke e mbyllur deklaratën me thirrjen emocionale: “Të dua Kosovë!”. /Kosova.info/
