Banorët e Reznikut ankohen për mungesë të investimeve në rrjetin elektrik

Disa banorë të lagjeve të fshatit Reznik të Vushtrrisë ankohen për mungesë të investimeve në rrjetin elektrik, e cila thonë se po u shkakton ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Mjafton të fryjë një erë apo të bjerë shi dhe një pjesë e madhe e banorëve të fshatit Reznik të Vushtrrisë, mbesin pa energji elektrike. Kjo si shkak i vjetërisë së shtyllave elektrike, thotë Shyqeri Rrustemi, banor i lagjes ‘Rrustemi’

“Rrjeti është i stërvjetruar, kemi shtylla që nga vitet e 70-ta.Përçuesit janë të hapur, kur frynë era mbesim pa rrymë. Në rast që është e premte, deri të hënën mbesim pa energji elektrike. Ne varemi kryesisht nga rryma. Kërkesa jonë është që të bëhet një zgjidhje. Të vendosen shtyllat e betonit dhe te jenë në prona publike nëpër rrugë e jo në toka bujqësore”, tha Rrustemi.

Ai thotë se kjo po u shkakton edhe dëme të tjera.

“Shpesh ndodh që dëmtohen edhe pajisjet sidomos kur mungon dy-tri ditë rryma. Po prishet ushqimi nëpër friza, po rrezikohemi edhe nga ushqimi. Madje edhe kabllot e rrymës lirshëm mund t’i prekin”.

“Këta tela janë tu prek, nuk kemi. Më shumë nuk kemi se që kemi rrymë. Shtyllat elektrike nëse ka mundësi mi vendos të betonit dhe të jenë të vendosura drejtë e jo kështu”, tha Refik Haziri, banor i lagjes ‘Haziri’.

E me këtë problem, sipas kryetarit të fshatit, po përballen mbi 10 lagje.

“Atëherë i kanë sjellë shtyllat e betonit por se a ndalu tenderi a pse nuk e di! Jemi mbi 10 lagje të fshatit Reznik që kanë probleme të rrymës për shkak të shtyllave. Edhe telat janë të ulët”, tha Gzim Rrustemi, kryetar i fshatit Reznik.

Nga KEDS kanë thënë se do të përgjigjen të hënën. RTK do ta publikojë edhe përgjigjen e KEDS-it lidhur më shqetësimet dhe kërkesat e banorëve.


Go to TOP