Banorët e lagjes Mati 1 përballen me reduktime të ujit të pijshëm
Banorët e lagjes `Mati 1` në Prishtinë vazhdojnë të përballen me reduktime të shpeshta dhe të gjata të ujit të pijshëm. Ata ankohen se mungesa e ujit po i vështirëson përditshmërinë e tyre. Përpos kësaj lagjeje, edhe pjesë të tjera në kryeqytet kanë mbetur pa ujë. Nga Ujësjellësi kanë thënë se të shtunën është rregulluar kjo çështje, megjithatë reduktimet sipas këtyre banorëve kanë vazhduar por me orar më të zvogëluar.
Në lagjen “Mati 1”, jetesa prej kohësh është bërë e vështirë. Kjo për një arsye krejt elementar siç është mungesa e ujit si pasojë e reduktimeve të shpeshta dhe të gjata.
Kështu thonë banorët e kësaj lagjeje, të cilët theksojnë se uji është domosdoshmëri për kryerjen e nevojave bazike. Në mungesë të tij, ata po detyrohen të sigurojnë vetë ujë për të përballuar situatën.
“Që disa vite nuk ka furnizim të rregullt me ujë. Komuna ia hedh fajin ujësjellësit, ujësjellësi komunës, ndërsa kompania ndërtuese ia hedh fajin atyre”, tha një banor.
“Për çdo ditë po ndërpritet uji, por duhet me pastru…”, u shpreh një banore e lagjes.
“Po ndërpritet shpesh, tash jemi mësuar. Kur nuk ka ujë, ne i mbushim enët me ujë, sepse uji ndalet. Është problem, sidomos për higjienën”, tha banori tjetër.
Banorët shprehen se vazhdimisht kanë bërë kërkesa, pasi thonë se janë edhe parapagues të rregullt të ujit porse thonë se një pjesë të fajin ia hedhin vet vet qytetarëve.
“Jam pagues i rregullt, asnjëherë nuk kam zero borxh. Por faji është edhe mungesa e vetëdijes së popullatës, sepse unë them që nuk ka ujë lart, ndërsa tjetri poshtë ujit. Faji është edhe i institucioneve që nuk i gjobisin ata”, pati vërejtje një banor
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njoftoi se disa zona të kryeqytetit po përballen me kufizime në furnizimin me ujë, për shkak të shpenzimeve enorme të ujit. Siç njofton kompania, të prekur janë konsumatorët e lagjes Mati 1 në tërësi, disa pjesë të lagjes Kodra e Diellit e Zllatari duke shtuar se furnizimi do të stabilizohet të shtunën.
