Banorët e Drenasit ankohen për gjendjen e infrastrukturës rrugore
Banorët e Drenasit ankohen për gjendjen e rënduar të infrastrukturës, duke kërkuar ndërhyrje urgjente në rrugë dhe ura që vështirësojnë qarkullimin e përditshëm.
Ndonëse një urë në Drenas është e destinuar për qarkullim të makinave, mbi këtë të mund të lëvizet vetëm me këmbë. Kjo si shkak i gjendjes dhe dëmeve që ka.
Ura që lidhë qendrën e Drenasit me Shtrubulloven dhe fshatra të tjera, tash e disa muaj po shkakton telashe tek qytetarët që gjithmonë e kanë shfrytëzuar këtë pjesë, për të shkuar Drenas dhe anasjelltas.
“Ne jemi këndej 20 shtëpi, me këtë gjendje qysh ka ra poshtë, ky nivel, mu bo edhe një vërshim na afrohet deri brenda. Na bënë dëme marramendëse”, ka thënë një banor.
Banorët kërkojnë zgjidhje emergjente, duke kërkuar përgjegjësi nga kryetari dhe zyrtarët komunal për gjendjen në të cilën ndodhet kjo urë dhe për bllokimin që sipas banorëve është telash i madh.
E për pjesët ku ka dëmtime, qytetarët kërkojnë intervenime të menjëhershme.
“Duhet me u intervenua ma shpejte e mos me i maltretu njerëzit andej e këndej”, ka thënë banori tjetër.
E edhe për këtë rrugë, që të dërgon tek lagjet Cervadiku e Bucolli, të cilat lidhen me Poklekun e Vjetër, shoferët po kërkojnë ndërhyrje, pasi sipas tyre, në disa pjesë ka vend vetëm për një makinë.
“Si gjendje është katastrofë, tmerr, dy makina nuk mund të kalojnë”, ka shtuar një tjetër banor.
Drejtori i infrastrukturës, Endrit Gllareva, lidhur me çështjen e urës, thotë se nuk kanë financa të mjaftueshme për ta realizuar projektin, i cili thotë se kap vlerën e rreth 300 mijë eurove.
“Ky projekt përfshinë ndërtimin e urës, rregullimin e kolektorit të ujërave të zeza që kalojnë pranë saj si dhe rehabilitimin e rrugës që kalon pranë saj deri tek rrethrrotullimi në qendër. Aktualisht kjo shumë e mjeteve është e paparaparë në buxhetin e Komunës së Drenasit. Megjithatë mbesim me shpresë për mbështetje nga Ministria e Infrastrukturës. Pas pranimit të një përgjigjeje zyrtare në rast se ajo është negative do të shqyrtojmë edhe mundësit tona financiare ”, ka thënë Gllareva.
Sa I përket rrugëve të dëmtuara gjatë sezonës dimërore, siç janë rrugët që i cekëm më lartë e janë në kompetencë të komunës, nga komuna thonë se do të fillojnë së shpejti me rehabilitimin e tyre.
