Banesa përfshihet nga flaka, i moshuari shpëtoi duke dalë nga ballkoni

Një banesë në rrugën “Pajazit Islami” të Fushë Kosovës u dogj të premten me mesditë.

Nga aty ia doli të shpëtojë një i moshuar duke kaluar përmes ballkonit në tarracën e banesës ngjitur. Ai për trajtim është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por që zyrtarë të saj as nuk e konfirmuan këtë e as nuk kthyen përgjigje për gjendjen e tij, njofton Klan Kosova.

Ndërkohë, organet e rendit nisën hetimet rreth orës 16:00. Por, më shumë detaje për veprimet e ndërmarra nuk u dhanë. Derisa shkaqet pse banesa në katin e 8 të ndërtesës mori flakë ende nuk dihen.

E për të arritur në vendngjarje pas orës 13:30 kur u lajmërua rasti e patën të vështirë zjarrfikësit për shkak të komunikacionit. Edhe shuarjen e zjarrit nuk e patën të lehtë.

“Nuk ka mujt me u zhvillu shpejtë siç duhet me u zhvillu për shkak të numrit të vogël të zjarrfikësve, katër zjarrfikës kanë qenë krejt, edhe prej ngasësve apo shoferëve është dashtë me na ndihmu”, tha Bajram Rexhepi, Shef i shërbimit të Zjarrfikësve në Prishtinë.

Sipas Rexhepit për atë lloj të intervenimit do të duhej të ishin 15 deri 20 zjarrfikës.

Go to TOP