Bajrami sfidon publikisht Kurtin dhe Artanën: Ejani në debat për “mafian energjetike” dhe importin nga Serbia

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan manipulim dhe heshtje nga ana e Qeverisë Kurti dhe Zyrtarëve të institucioneve energjetike në vend.

Në një deklaratë publike, Bajrami tha se ministrja Artane Rizvanolli nuk ka demantuar asnjë pjesë të deklaratës së saj paraprake, ku ajo kishte pohuar se energjia po vjen përmes Serbisë. Sipas saj, edhe vetë Rizvanolli e ka pranuar se ekziston rrjedhë fizike e energjisë nga Serbia, çka e konsideron si konfirmim të pohimit të saj.

Ajo ka ftuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ministren Rizvanolli, përfaqësues të KOSTT-it dhe të ZRrE-së në një debat publik televiziv, ku thotë se është e gatshme të diskutojë për:

Aferat dhe ndikimet e “mafias energjetike” në vend;

Gjendjen aktuale të prodhimit dhe importit të energjisë duke theksuar se KEK po prodhon aktualisht vetëm përmes njësisë A3, që sipas saj mbulon rreth 10% të nevojës së tregut;

Kompanitë që po dominojnë ankandet për transport dhe import të energjisë, përfshirë kompaninë NOA dhe EFT-në e Vuk Hamoviqit;

Tenderin prej 137 milionë eurosh për rehabilitimin e A3, të hapur sipas saj pa studim fizibiliteti;

Dhe për avaritë e shpeshta brenda KEK-ut.

“Ejani, unë ju pres! Heshtja juaj po bërtet. Keni rënë kokë e këmbë – s’ka propagandë që ju mbron më,” përfundon sfidën e saj publike Hykmete Bajrami.

Ky ftesë vjen në një kohë kur qytetarët po përballen me paralajmërime për rritje të çmimeve të energjisë dhe pasiguri në furnizim duke e shtuar debatin për menaxhimin e sektorit energjetik në vend. /Kosova.info/

Go to TOP