Bajrami sfidon Kurtin: Faktet po ju çmendin – pesë vite dështime të zhytura në korrupsion
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ajo, fushatave linçuese të pushtetit me profile të rreme, duke deklaruar se faktet po e çmendin Qeverinë Kurti dhe se shpifjet nuk mund ta ndalin.
Ajo theksoi se ka qenë pjesë e qeverive që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që kanë arritur rritje ekonomike deri në 6% me inflacion të ulët, që kanë shkarkuar ministrin Jabllanoviq të Listës Serbe, dhe që kanë firmosur marrëveshje ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, duke sjellë njohjen nga Izraeli. Sipas saj, pavarësisht tentimeve të pushtetit aktual për të gjetur shkelje, asnjë nuk është gjetur sepse ajo ka punuar me nder e përgjegjësi.
Bajrami akuzoi kryeministrin Albin Kurti për “tradhti kombëtare” duke i referuar marrëveshjeve të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, ndërsa sfidoi publikisht atë dhe eksponentët e tjerë të LVV-së për ballafaqim televiziv, duke thënë se tash e pesë vjet i pret në çdo debat.
Sipas saj, Kurti dhe qeveria e tij janë të zhytur në dështime, korrupsion dhe kontrata njëburimore, ndërsa e vetmja temë që përdorin në diskurs publik është Lista Serbe. Ajo renditi një sërë pyetjesh për pushtetin aktual: nga rritja e çmimeve të produkteve bazë, e deri te mungesa e projekteve kapitale, dështimet në shëndetësi, arsim, luftë kundër korrupsionit dhe mosndëshkimi i të korruptuarve.
Bajrami theksoi se Serbia është armik i përhershëm i Kosovës, por se lufta ka përfunduar dhe se Kosova ka qenë dhe mbetet Republikë që nga viti 2008, ndërsa 420 kilometrat e kufirit me Serbinë ruhen nga NATO. Ajo akuzoi Kurtin se ka faktorizuar Listën Serbe për hesap të dështimeve të tij.
Ajo përmendi koordinimet e LVV-së me Radojiçiqin për çështjen e pagave të veteranëve dhe votat për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur këtë tradhti dhe mashtrim.
Në vijim, Bajrami u shpreh se videot dhe deklaratat e së kaluarës janë problemi më i madh për pushtetin aktual, i cili sipas saj është transformuar deri në pikën që nuk e njeh më vetveten.
Ajo përsëriti se askush nuk e ka penguar Albin Kurtin të ndërtojë 160 çerdhe, rrugë magjistrale, të investojë në arsim e shëndetësi apo të luftojë korrupsionin, por sipas saj, ai ka dështuar në çdo sektor.
Në fund, Bajrami bëri thirrje për ballafaqim programor në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se Kosova është Republikë – pavarësinë e së cilës LVV-ja sipas saj nuk e kishte njohur deri sa erdhi në pushtet. Ajo akuzoi pushtetin për përdorim të profileve false dhe koordinim me Listën Serbe, duke shtuar se ndryshimi do të vijë me votë.
“Do t’ju largojmë me votë,” përfundoi Bajrami, duke shtuar se mbrojtja e Republikës bëhet me demokraci, jo me dhunë, por edhe pa gënjeshtra, sepse videot me zë e figurë dëshmojnë qartë premtimet dhe dështimet e pushtetit aktual. /Kosova.info/
