Bajrami: Për LVV-në, problemi është orari i seancave – jo mungesa e institucioneve
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për qasjen ndaj moskonstituivit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ajo ka thënë se LVV po e redukton paaftësinë për formimin e institucioneve në një problem teknik: “mbledhja e deputetëve çdo 48 orë”.
Sipas Bajramit, afati prej 48 orësh i përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit ka për qëllim përshpejtimin e procesit të konstituivit dhe jo shtyrjen e tij. “Për LVV-në, problemi qenka që deputetët duhet të vijnë çdo 48 orë në Kuvend, jo fakti që vendi është pa institucione funksionale, pa qeveri legjitime, me projekte të bllokuara dhe miliona euro donacione të humbura,” ka deklaruar ajo.
Bajrami ka theksuar se në një situatë të tillë, seanca konstituive nuk do të duhej të ndërpritej për më shumë se 10 minuta deri në formimin e institucioneve. Ajo i ka kujtuar LVV-së se, si partia e parë, ka përgjegjësi ndaj qytetarëve, jo ndaj partive tjera.
“Nëse nuk janë të aftë për bashkëpunim dhe qeverisje, le ta pranojnë dhe t’u hapin rrugë alternativave të tjera. Gjatë gjithë mandatit të kaluar kanë ikur nga përgjegjësia dhe sot po bllokojnë çdo mundësi për stabilitet në vend. Kjo është papërgjegjësi, jo politikë,” ka përfunduar Bajrami. /Kosova.info/
