Bajrami: Mirënjohje për Televizionin Shqiptar në 65-vjetor, rol i jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës
Në 65-vjetorin e themelimit të Televizionit Shqiptar, gazetari i njohur Asllan Bajrami ka ndarë një mesazh mirënjohjeje për institucionin ku ai shërbeu për afro tri dekada. Duke theksuar rolin e veçantë të RTSH-së për çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare në tërësi, Bajrami ka kujtuar kontributin e veçantë të redaksisë së ish-Radiotelevizionit të Prishtinës, e ngritur në fillim të viteve ’90 pranë Televizionit Shqiptar në Tiranë.
“Në këtë 65-vjetor të Televizionit Shqiptar, gjej rastin të falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur që zëri i Kosovës të dëgjohej gjerësisht në kohët më të vështira për vendin tonë – gazetarë, redaktorë, regjisorë, operatorë, montazhierë, teknikë, inxhinierë e punonjës të arkivit”, shkroi Bajrami.
Ai veçoi periudhën e viteve ’90 deri në çlirimin e Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës si një nga më të rëndësishmet për raportimin profesional dhe të përkushtuar të kësaj redaksie të vogël, por me mision të madh.
“Mirënjohje për të gjithë brezat e Televizionit Shqiptar. Gëzuar 65-vjetorin!”, përfundon mesazhin e tij Asllan Bajrami. /Kosova.info/
