Bajrami kundër presionit ndaj mediave: Liria e shtypit mbrohet edhe kur ndihesh i dëmtuar prej saj
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me mediat duke theksuar se është kundër çdo forme presioni institucional apo politik ndaj tyre, pavarësisht se, sipas saj, ka qenë subjekt i trajtimit të padrejtë mediatik.
Bajrami deklaroi se gjatë emisioneve televizive, veçanërisht në periudha zgjedhore, është përsëritur vazhdimisht një pretendim që e ka cilësuar të pavërtetë dhe jashtë kontekstit duke ndikuar në krijimin e një narrativi denigrues ndaj saj.
Sipas saj, kjo ka nxitur shpërndarjen e materialeve të manipuluara, përfshirë montazhe fotografike dhe video të krijuara edhe me inteligjencë artificiale, të cilat kanë sjellë kërcënime dhe ndjenjë pasigurie për të dhe familjen e saj.
Megjithatë, Bajrami tha se nuk mbështet mbylljen e asnjë emisioni apo ndërhyrjet e pushtetit ndaj mediave.
“Liria e medias nuk mbrohet vetëm kur media sillet mirë me ne; ajo mbrohet sidomos kur kemi arsye personale për t’u ndier të dëmtuar prej saj”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së vlerësoi se çdo presion ndaj mediave bie ndesh me parimet demokratike dhe standardet evropiane duke kërkuar ndaljen e menjëhershme të çdo forme ndikimi politik apo institucional mbi to.
Në të njëjtën kohë, ajo u bëri thirrje mediave që të respektojnë standardet më të larta etike, profesionale dhe ligjore në raportimin e tyre. /Kosova.info/
