AUV paralajmëron fermerët: Rritni masat e biosigurisë pas rasteve të konfirmuara me Linë e Dhenve dhe Dhive
Pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti, si dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshme të saj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u bën thirrje të gjithë fermerëve të deleve dhe dhive që të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë.
Bazuar në situatën epidemiologjike të krijuar, AUV kërkon nga fermerët të zbatojnë këto masa parandaluese:
- Mos lëvizni delet dhe dhitë nga ferma pa autorizimin e veterinerit zyrtar.
- Kufizoni hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë.
- Shmangni kontaktin e kafshëve tuaja me tufat e fermave të tjera.
- Pastroni dhe dezinfektoni rregullisht objektet, pajisjet dhe mjetet e transportit.
- Çdo kafshë e sapoblerë të mbahet e ndarë nga tufa për një periudhë vëzhgimi.
- Kontrolloni çdo ditë gjendjen shëndetësore të kafshëve.
Fermerët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave klinike si:
- temperaturë e lartë;
- puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj;
- rrjedhje nga sytë ose hunda;
- mungesë oreksi, dobësi ose ngordhje të kafshëve.
Në rast të vërejtjes së këtyre shenjave, fermerët duhet të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-së. Nuk duhet të tentojnë trajtimin apo lëvizjen e kafshëve të dyshuara.
Bashkëpunimi i fermerëve është thelbësor për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e tufave në të gjithë vendin.
AUV sqaron se Lija e Dhenve dhe Lija e Dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Kjo është një sëmundje me ndikim ekonomik, e cila mund të shkaktojë humbje për fermerët dhe ekonominë e vendit. /Kosova.info/
