Bajrami: Çdo qytetar i prekur nga vërshimet të ndihmohet, shteti të jetë urgjentisht në terren
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar reagim të menjëhershëm institucional për qytetarët e prekur nga vërshimet e fundit duke theksuar se ndihma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe pa dallime.
Sipas Bajramit, secili banor i prekur duhet të ndihmohet, çdo biznes të kompensohet, çdo bujk të mbështetet, ndërsa çdo familje të marrë ndihmë emergjente. Ajo ka paralajmëruar se situata mbetet e rrezikshme, pasi moti me shi po vazhdon dhe për nesër priten edhe reshje bore, çka rrit rrezikun për përmbytje të reja.
Bajrami ka theksuar se shteti duhet të jetë prezent në terren dhe pranë qytetarëve në komunat më të prekura, përfshirë Drenasin, Malishevën, Junikun, Gjakovën, si dhe në komuna të tjera të Kosovës.
Duke folur për menaxhimin afatgjatë të situatës, ajo ka kërkuar nga Qeveria që të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji të qartë dhe të ndajë buxhet të veçantë në buxhetin e vitit 2026, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve konkrete për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive të ngjashme në të ardhmen.
Sipas Bajramit, vetëm përmes planifikimit serioz dhe reagimit të shpejtë institucional mund të mbrohen qytetarët dhe të minimizohen dëmet nga fatkeqësitë natyrore. /Kosova.info/
