Babai im, hero i lirisë sime

Babai im, hero i lirisë sime,

më bëri njësh me veten,

më mësoi të dua,

numëroj yjet në qiell

pa frikë se një ditë do të shuhen.

ka më shumë dritë të re që lind,

në shuarjën e tyre më tha

si shpirti që s’mbyllet kurrë në hi.

Ai kurrë nuk pati pushkë.

Zëri i tij nuk u bë thirrje urrejtjeje,

mbeti melodi

që ndërtoi ura mes zemrave.

Ai rrinte, mendonte, arsyetonte,

dhe në gjykimin e heshtur

të botës

kurrë nuk u përfshi.

Të bëmën e tjetrit nuk e gjykoi,

as në të pame nuk shkoi kurrë.

“Vdekja” thoshte, “është çlirim,

jo dhembje për shpirtin që fluturon, mall që ndriçon tek ata që mbeten”

Në mesditë, kur dielli ndalonte frymëmarrjen,

ai shkonte në shesh,

ku njeriu i tij e priste në heshtje.

Një qindarkë dashurie ia linte,

jo si dhuratë,

por si premtim të përditshëm

se dashuria nuk ka nevojë për zë,

se zemrat që duan flasin

në gjuhën e qiellit.

Ishte aktor pa dërrasat e talias

poet pa fletë,

luftëtar pa armë.

Në shikimin e tij të qetë,

pashë gjithçka që bota refuzonte të shihte:

se liria nuk fitohet vetëm me gjak,

me dhembshuri,

me mendje të hapur e duar

të hapura për përqafim

Ndërtim

Tani, kur ngre kokën lart

i vështroj yjet,

i kujtoj fjalët e tij:

“Jeta është si një qiell i pafund,

me humbje dhe fitore,

me drita dhe hije.

Por në çdo shuarje ylli,

shih një lindje të re.”

Dhe unë ndiej se babai im,

me heshtjen e tij,

kishte thyer zinxhirët e botës.

Kishte krijuar dritë të re.

Sibel HALIMI


Go to TOP