“Asnjë Hap Mbrapa” – Java e Krenarisë 2025 nis me mesazh të fuqishëm rezistence në Kosovë
Edicioni i nëntë i Javës së Krenarisë ka nisur zyrtarisht në Kosovë, nën moton e fuqishme “Asnjë Hap Mbrapa”, duke përcjellë një mesazh të qartë për vendosmëri, qëndresë dhe përkushtim ndaj barazisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut për personat LGBTQI+.
Ky edicion reflekton kundërshtimin ndaj rritjes globale të urrejtjes, diskriminimit dhe përpjekjeve për të zbehur arritjet e deritanishme në fushën e të drejtave të njeriut. Organizatorët theksuan se Java e Krenarisë është një simbol i rezistencës dhe i bashkimit të komunitetit LGBTQI+ në Kosovë, që nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet përballë sfidave.

“‘Asnjë Hap Mbrapa’ nuk është vetëm një slogan; është një betim për të mos lejuar kthimin pas. Është qëndrimi ynë ndaj çdo përpjekjeje për të na fshirë, për të na heshtur ose për të na shtyrë në margjinat e shoqërisë. Ne jemi këtu, qëndrojmë të fortë dhe ecim përpara bashkë,” thuhet në deklaratën zyrtare të organizatorëve.
Gjatë ditëve në vazhdim, organizatorët kanë paralajmëruar aktivitete të shumta, përfshirë diskutime publike, ekspozita, performanca artistike dhe marshin tradicional të Krenarisë. Të gjitha aktivitetet synojnë të promovojnë barazi, përfshirje dhe ndërgjegjësim shoqëror për të drejtat e komunitetit LGBTQI+ në vend.
Java e Krenarisë 2025 vjen në një moment të rëndësishëm, kur diskursi lokal dhe ai ndërkombëtar është gjithnjë e më sfidues për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë gjinore. Por komuniteti LGBTQI+ në Kosovë mbetet i vendosur: “Nuk do të frikësohemi. Nuk do të dorëzohemi. Lëvizja jonë është e rrënjosur në qëndrueshmëri.”
Më shumë detaje për programin e plotë të aktiviteteve pritet të bëhen publike në ditët në vijim. /Kosova.info/

