As pas thirrjes ndërkombëtare, Serbia s’e largon ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Ndonëse Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Beogradi zyrtar të tërheqin ushtrinë serbe nga brezi kufitar me Kosovën, ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vuçeviç, deklaroi se niveli i lartë i gatishmërisë së ushtrisë serbe mbetet i njëjtë, kjo për shkak të situatës së përshkallëzuar në Veri të Kosovës.

“Kjo është hera e tretë brenda nëntë muajve që ushtria serbe duhet të ketë atë nivel sigurie në lidhje me aktivitetet në Kosovë. Serbia nuk është më vendi siç ishte në mars 2004. Sot ajo është politikisht më e fortë. Më e fortë edhe ekonomikisht”, ka pretenduar Vuçeviç në një intervistë për televizionin e afërt me pushtetin në Serbi, TV Happy.

Zëvendës-Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jon Finer, ditë më parë pasi kishte realizuar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte paraqitur kërkesat amerikan për de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur në katër komunat veriore të kryejnë detyrat e tyre në ndërtesa alternative dhe të tërheqë njësinë speciale të Kosovës nga ndërtesat komunale, ishin kërkesat eksplicite të Finer drejtuar kryeministrit Kurti.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga Shtëpia e Bardhë bëhet e ditur se Finer ka kërkuar në mënyrë eksplicite edhe nga Qeveria e Serbisë ta tërheqë forcat e saj të armatosura nga kufiri me Kosovën dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë të ushtrisë serbe.

“Finer kërkoi nga Serbia gjithashtu t’u bëjë thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë paqësore në Veri të Kosovës”.

Go to TOP