A e mbron Xhandarmëria e Serbisë Millan Radoiçiqin?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është interesuar për këtë çështje.
Ai pretendoi se Millan Radoiçiqin, ndaj të cilit është lëshuar njoftim i kuq nga Interpol-i për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, nuk e mbrojnë pjesëtarët e Xhandarmërisë së Serbisë.
Këtë e pohoi edhe komandanti i këtij njësiti special policor, Radosllav Repac.
Autoritetet në Serbi i hedhin poshtë raportimet e mediave se Radoiçiqi, si dhe ish-partneri i tij i biznesit nga Kosova, Zvonko Vesellinoviq, mbrohen nga pjesëtarë të Xhandarmërisë.
Nga ana tjetër, kolonelja policore në pension, Sllavica Radovanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se është “sekret publik” që pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe ruajnë një kategori të caktuar personash që nuk u takon të kenë mbrojtje policore.
“Edhe informacionet e mia të brendshme e mbështesin këtë, se ekzistojnë me siguri dy persona nga Xhandarmëria që nuk shkojnë fare në punë, por e ruajnë Radoiçiqin”, thotë ajo.
Radovanoviq ka punuar për më shumë se 30 vjet në policinë serbe, ndërsa që nga viti 2021 është deputete opozitare.
“Askush në njësitin e Xhandarmërisë nuk guxon të pyesë se ku janë këta njerëz dhe pse nuk vijnë në punë”, shton ajo.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse Radoiçiqi dhe Vesellinoviqi mbrohen nga Xhandarmëria dhe cila do të ishte arsyeja për një vendim të tillë.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Beogradi që të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë, në Serbi Radoiçiqi është i lirë dhe ka vendbanim të regjistruar në Beograd.
Ai e ka pranuar se ka organizuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur u vra një polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.
Ndonëse Prokuroria në Beograd ka paralajmëruar aktakuzë për këtë rast, ajo ende nuk është ngritur.
Si Radoiçiqi ashtu edhe Veselilnoviqi janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej më shumë se katër vjetësh, për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Për Vuçiqin, Radoiçiqi nuk është kriminel
Vuçiq gjatë një stërvitjeje të Xhandarmërisë në Lipovicë, afër Beogradit, tha se Radoiçiqi dhe Vesellinoviqi nuk mbrohen nga pjesëtarët e këtij njësiti.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se nuk e dinte që do të cilësoheshin si kriminelë ata “që ndiqen nga disa vende të tjera, ose nga ato që nuk janë madje as vende, por entitete”, për shkak të situatës në Kosovë.
Më pas ai iu drejtua komandantit të Xhandarmërisë serbe, Radosllav Repac, me pyetjen: “Pra, sa kuptova, Radosllav, ky nuk është më rast, apo është, gjithsesi?”.
Repac u përgjigj se “Xhandarmëria nuk i mbron personat e përmendur”.
Një ditë më parë, Vuçiqi u kishte thënë gazetarëve se nuk kishte të dhëna të tilla, por edhe se Radoiçiqi nuk ishte në listën e të kërkuarve për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës.
Në një video të publikuar nga autoritetet e Kosovës tre vjet më parë, shihen burra të armatosur, mes të cilëve edhe Radoiçiqi, dhe ata janë veshur me uniforma ushtarake kamuflazhi.
Ata janë filmuar, sipas autoriteteve në Kosovës, në oborrin e manastirit në Banjskë, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës.
Në kohën e sulmit, për të cilin ai ka marrë përgjegjësinë, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.
Gjykata e Lartë në Beograd, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse ndaj Radoiçiqit ende është në fuqi ndalesa për t’u larguar nga Serbia si dhe detyrimi për t’u paraqitur në polici.
Kjo gjykatë për herët të fundit e kishte konfirmuar për REL-in një informacion të tillë në muajin prill, ndërsa Prokuroria e Lartë Publike në Serbi nuk është deklaruar më.
Kjo prokurori nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se cila është pengesa për ngritjen e aktakuzës, të cilën kryeprokurori në Serbi e kishte paralajmëruar se do të ndodhte në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025.
Teksa Radoiçiqi, si organizator i sulmit, ndodhet i lirë në Beograd, në Prishtinë në muajin prill tre persona u dënuan nga Gjykata Themelore për sulmin në Banjskë: dy prej tyre me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.
Të tre të pandehurit janë pjesë e një grupi prej 45 personash, përfshirë Radoiçiqin, i cili në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës përshkruhet si “kreu i grupit terrorist”.
Të akuzuarit e tjerë ndodhen në arrati dhe për ta Kosova ka lëshuar fletarrestime përmes Interpol-it.
Kosova e cilëson sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e ka akuzuar Serbinë për përfshirje, por Beogradi ka hedhur poshtë këto pretendime.
Si angazhohet Xhandarmëria e Serbisë?
Televizioni N1 ka raportuar se ka arritur të sigurojë informacione se dy pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë serbe punojnë si sigurim privat për Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Vesellinoviqin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kërkoi që t’i thuhet pse po ndiqet penalisht Vesellinoviqin ose nëse po ndiqet.
“Por, nëse më pyesni nëse duhet që persona aktivë nga Xhandarmëria të jenë pjesë e sigurimit të tyre, do të kujdesem dhe do të bëj gjithçka që kjo të mos ndodhë”, deklaroi ai.

Vuçiq porositi se pjesëtarët e Xhandarmërisë nuk mund të kryejnë dy punë njëkohësisht.
Duke folur për njohuritë e saj se Radoiçiqi mbrohet nga pjesëtarë të Xhandarmërisë, kolonelja policore në pension Sllavica Radovanoviq tha se kjo është në kundërshtim me rregulloret.
“Është në kundërshtim me rregulloret që persona që janë zyrtarisht të punësuar në polici, që janë policë, por që kolegët e tyre nuk e dinë cilat janë detyrat e tyre të punës dhe ku i kryejnë ato, përveç drejtuesve që u lejojnë t’i kryejnë këto detyra”, thotë ajo.
Xhandarmëria angazhohet në bazë të miratimit të drejtorit të policisë.
Detyrat e saj kryesore janë luftimi i terrorizmit, arrestimi i anëtarëve të grupeve të organizuara dhe të tjera të rrezikshme kriminale, si dhe rivendosja e rendit publik kur ai prishet në shkallë të gjerë.
Xhandarmëria serbe mund t’i ruajë po ashtu objekte me interes jetik për sigurinë e Serbisë dhe persona të mbrojtur.
Kush mund të mbrojë kë?
Vuçiq në maj ka paralajmëruar një ligj me të cilin do të largohen nga shërbimi policët ose ushtarët që kryejnë punë për të cilat nuk kanë marrë leje të drejtpërdrejtë nga shteti.
“Por, nëse shohim dikë që ruan ndonjë pasanik, i cili nuk është kriminel, ose që ruan ndonjë kriminel, atëherë ai nuk mund të punojë më në polici”, deklaroi ai më 20 maj.
Në atë kohë, Vuçiq deklaroi se garanton se do të parandalojë që “gjysma e narkotrafikantëve të kenë mbrojtje policore”, duke pretenduar se një situatë e tillë ka ekzistuar për 40 vjet.
Megjithatë, Sllavica Radovanoviq thotë se kjo kurrë nuk ka qenë e lejuar.
“Çdo lloj sigurimi që nuk është i konfirmuar zyrtarisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pra që nuk keni urdhër për të shkuar për të mbrojtur një person të caktuar, i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore, e cila mund të çojë deri në largimin nga puna”, thotë ajo.
Ligji për policinë në Serbi, si shkelje të rëndë të detyrës zyrtare e përcakton edhe angazhimin me punë që nuk janë në përputhje me detyrën zyrtare.
Sipas Kodit të etikës së policisë, punonjësi i policisë në Serbi kujdeset që puna shtesë të mos krijojë mundësi për konflikt interesi ose të mos ndikojë në paanshmërinë në punë, si dhe të mos dëmtojë reputacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Për kontrollin e ligjshmërisë së punës së policëve është përgjegjës sektori i kontrollit të brendshëm.
