Arrestohen tre të dyshuar për mashtrim me prona
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre të dyshuar të përfshirë në një skemë të sofistikuar të mashtrimit me prona në vlerë të lartë.
Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara të identifikimit, po tentonin të realizonin me mashtrim shitjen e një parcele me vlerë të lartë, në zonën kadastrale të Matit në Prishtinë.
Pas ndërmarrjes së veprimeve gjithëpërfshirëse hetimore, hetuesit policorë identifikuan të dyshuarit, kohën dhe vendndodhjen e tyre të synuar për kryerjen e mashtrimit, në një zyrë noteriale në Gjilan.
“Kësisoj, rreth orës 11:30, policia arrestoi tre të dyshuar, (dy meshkuj dhe një femër) dhe në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit, caktoi masën e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.
Hetimet e mëtejshme kanë çuar në identifikimin edhe të një të dyshuari tjetër i cili aktualisht është në kërkim nga ana e policisë.
“Ky rast thekson përkushtimin e vazhdueshëm të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës për mbrojtjen e komunitetit nga skemat mashtruese, luftimin e veprimtarive kriminale si dhe sjelljen e të dyshuarve para drejtësisë”, ka theksuar policia.