Arrestohen dy persona për vrasjen e katër personave në Velipojë, në kërkim tre të tjerë
Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy persona pas veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmë në Pulaj Plazh të Velipojës ku si pasojë e një konflikti mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë.
“Bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit: H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Përveç të arrestuarve Policia e Shqipërisë ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë A.V., Sh. V. Dhe B. V., të cilët janë vëllezër dhe dyshohet se janë bashkautorë në vrasjen e katërfishtë që ndodhi mbrëmë.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
