Analisti Kenan Gashi: PDK në Viti po luan me dy karta, marrëveshje me LDK-në dhe takime të fshehta me VV-në
Analisti politik Kenan Gashi ka reaguar ashpër ndaj degës së PDK-së në Viti, duke e akuzuar për standarde të dyfishta dhe veprime të dyanshme në prag të zgjedhjeve, shkruan Josova.info.
Sipas tij, sikurse para katër vitesh, edhe këtë herë dega lokale e PDK-së po vepron me “dy karta” – nga njëra anë bashkëpunim të brendshëm me LDK-në, ndërsa nga ana tjetër takime të fshehta me përfaqësues të Vetëvendosjes.
“Si para katër vitesh, ashtu edhe tani, dega e PDK-së në Viti po luan rolin e saj me dy karta: në qarqe të brendshme flasin keq për LDK-në, ndërsa në anën tjetër gëzojnë përfitime nga pozitat që u ka ofruar ajo,” ka shkruar Gashi.
Ai shtoi se kjo sjellje, përkundër kritikave nga liderët qendrorë të partisë, po vazhdon edhe në këto zgjedhje. “Inatet nga mosfitorja dhe paaftësia për t’i bindur qytetarët të votojnë për PDK-në janë absurditeti i radhës,” ka theksuar ai.
Gashi ka drejtuar edhe dy pyetje publike për Bekim Azizin, për të cilin pretendon se po zhvillon takime të fshehta me Vetëvendosjen:
“A je duke mbajtur takime të fshehta, ti dhe disa anëtarë të tjerë të strukturave të PDK-së në Viti, me kandidatin e VV-së dhe strukturat e tyre?
A jeni duke kërkuar vota për kandidatin e VV-së?”/Kosova.info/
