Pak fjalë për romanin e Sali Bashotës

MBRESË LEXIMI

“Rikthimi Servantesit në Ulqin” botues “Rea” Prishtinë, 2025

Shkruan: Izet AVDYLI

I quajtur si roman poetik nga vetë autori, romani “Kthimi Servantesit në Ulqin” vërtetë fund e krye, nga faqja e parë e deri te faqja e fundit është e veshur me oreolin poetik. Përvoja e gjatë e autorit në krijimtarinë poetike ka bërë që leksiku i pasur i fjalëve ti jep një ngjyrim poetik romanit i cili është përmbushur me plotë figura stilistike e që e bëjnë romanin të këndshëm për lexim. Autori qëllimisht i ka ikur edhe klisheve të ndërtimit klasik të romanit, duke na sjellë një strukturë romani të ndërtuar përmes tregimeve. Dy protagonistët apo dy rrëfimtarët e romanit që janë, huazuar” nga letërsia botërore e bëjnë edhe më kureshtar lexuesin për të hyrë në botën e romanit dhe për të zbërthyer misteret që ka brenda tij. Në personalitetin e Servantesit mund të jetë personifikuar edhe vetë autori, apo akëcili njeri që është magjepsur nga magjia e artit poetik. Zbërthimi i ëndrrave, shprushja kujtesës, nuk janë diçka e re në krijimtarinë letrare. Kjo temë është trajtuar nga shumë krijues botëror të letërsisë, madje edhe në letërsinë nacionale nga shkrimtari i madh Kadare. Komunikimi artistik mes Servantesit dhe Dylqinjes së tij të dashur i jep dramacitet romanit. Dialogjet e tyre përmes figurave poetike herë herë të bëjnë se po përjeton një shfaqje në amfiteatrot antike. Edhe vendi ku zhvillohen ngjarjet e romanit, një objekt i vjetër i trashëgimisë kulturore e historike siç është “Kalaja e Ulqinit” sikur e përmbushin këtë konstatim. Autori romanit me imagjinatën e tij të bujshme shpërfaq të ndodhurat brenda kalasë dhe rreth saj. Parakalojnë në sfondin e kësaj imagjinate, peshkatarë, piratë, roje, lundërtarë, notarë kusarë, etj. Duke shprushur ëndrrat, kujtimet në kërkim të dorëshkrimit të humbur jo rrallë krijohen situata groteske e të mbushura me mistere. Megjithatë në këto përsiatje shpeshherë shkëlqejnë xhevahire të veshura me magjinë e fjalës. Autori është i vetëdijshëm për misionin që i ka vënë vetes në ndërtimin e këtij romani, andaj me sukses ja ka dal të ruaj njëtrajtshmërinë e rrëfimit dhe do ta magjeps me bukurinë e fjalës akëcilin që do ta lexon këtë roman. Si përfundim mund të themi se sprovën që i ka dhënë vetës autori për ndërtimin e një romani poetik ka arritur ta kaloj me sukses. E them pa modesti se moti nuk më ka rënë të lexoj një roman të tillë që përmbushë me përpikëri kërkesat ideo-artistike. Autorit i dëshiroi suksese në rrugëtimin e tij krijues.

Go to TOP