Ambasada e Japonisë dorëzoi projektin për Minatorin në Novobërdë

Ambasada e Japonisë në Kosovë ka njoftuar se sot është mbajtur ceremonia e dorëzimit të “Projektit për renovimin e banjave të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët ‘Minatori’ në komunën e Novobërdës”, në kuadër të Asistencës së Grantit të Japonisë për Projektet e Sigurisë Njerëzore Bazike (GGP).

Në njoftim bëhet me dije se në ceremoni morën pjesë Keisuke Yamanaka, i Ngarkuar me Punë të Përkohshme të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Valon Beqiri, drejtor i ShFMU “Minatori”, Bajrush Ymeri, nënkryetar i komunës së Novobërdës, nxënës dhe mësimdhënës nga shkolla “Minatori”.

Në njoftimin e Ambasadës së Japonisë në Kosovë thuhet se Yamanaka shprehu kënaqësinë e tij për të parë banjat e rinovuara të cilat ofrojnë ambient të përshtatshëm për nxënësit.

Ai theksoi se arsimi është aspekti kyç për ta realizuar zhvillimin socio-ekonomik, veçanërisht për një shoqëri të përparuar si Kosova. Dhe të gjithë fëmijët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike apo fetare, duhet të kenë qasje në arsimin e përditshëm cilësor.

Ai e përgëzoi kryetarin e Novobërdës dhe ekipin e tij për përpjekjet e tyre për t’i inkurajuar të gjithë banorët dhe komunitetet në komunë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për një jetë më të mirë në Novobërdë.

“Ambasada e Japonisë do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e sinqerta të të gjithë popullit të Kosovës për të ardhmen paqësore dhe prosperuese të këtij kombi të ri” shtoi Yamanaka.

Projekti për Renovimin e Banjave të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Minatori” në komunën e Novobërdës” siguron një mjedis të sigurt dhe higjienik mësimor përmes renovimit të të gjitha banjave në objektin kryesor të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Minatori” në komunën e Novobërdës.

Po ashtu, bëhet me dije se vlera totale e projektit ka qenë 18, 889 euro.

Në Kosovë Japonia ka zbatuar skemën GGP edhe para pavarësisë së vendit. Deri më sot shuma e përgjithshme e GGP-së japoneze pas pavarësisë së Kosovës ka arritur në 3 987 537 euro për 63 projekte (përfshirë 1 GGP Kulturore) në mbarë vendin.

Go to TOP