Albana Bunjaku: Diaspora ia ka kthyer shpinën Kurtit, LDK po bëhet zëri i ri i mërgatës

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Albana Bunjaku, e cila mban numrin 107 në listën zgjedhore, ka dhënë një deklaratë të fuqishme lidhur me ndryshimin e disponimit politik të diasporës shqiptare në prag të zgjedhjeve.

Sipas Bunjakut, mërgata shqiptare po e ndryshon qartë kursin e votimit dhe gjithnjë e më shumë po i kthehet Lidhja Demokratike e Kosovës si alternativa që do të përfaqësojë interesat e tyre.

“Diaspora është zhgënjyer thellë me mënyrën se si është qeverisur vendi. Është e papranueshme që një parti që mori mbi 51% të besimit qytetar ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje. Kjo ka krijuar pakënaqësi të madhe edhe te mërgata jonë,” deklaroi Albana Bunjaku.

Ajo theksoi se gjatë qeverisjes së Albin Kurti nuk është bërë sa duhet për diasporën, sidomos në aspektin e investimeve dhe krijimit të kushteve të favorshme për mërgimtarët që duan të kontribuojnë në Kosovë.

“Diaspora ka kërkuar mbështetje konkrete, lehtësira për investime dhe politika që i afrojnë me vendlindjen, por fatkeqësisht nuk kanë parë hapa realë. Prandaj sot shihet qartë zhgënjimi dhe largimi i tyre nga kjo qeveri,” u shpreh kandidatja e LDK-së.

Bunjaku shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë forca politike që do të fitojë besimin e diasporës duke premtuar një qasje më serioze ndaj mërgatës dhe rolit të saj në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Në çdo takim me bashkatdhetarët tanë po shohim energji të re dhe mbështetje të fuqishme për LDK-në. Ky është fillimi i fundit politik për Kurtin,” përfundoi Albana Bunjaku, kandidatja me numër 107 nga LDK-ja. /Kosova.info/


Go to TOP