Alarm për vape-t te nxënësit dhe duhanpirjen në publik: Thirrje partive që ta bëjnë shëndetin publik prioritet në fushatë
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, Aleanca për të Ardhmen e Kosovës Pa Duhan ka dalë me një deklaratë të përbashkët duke ngritur shqetësimin për përhapjen alarmante të përdorimit të vape-ve në mesin e nxënësve dhe për tolerimin e vazhdueshëm të duhanpirjes në hapësira publike, pavarësisht ndalimit ligjor.
Sipas deklaratës, fenomeni më shqetësues mbetet qasja e lehtë e fëmijëve dhe të rinjve në produktet e reja të nikotinës, veçanërisht vape-t, të cilat shiten lirshëm në dyqane ushqimore, shpesh në afërsi të shkollave. Kjo, sipas profesionistëve të shëndetit dhe organizatave të përfshira, po kontribuon në normalizimin e varësisë nga nikotina në moshë të hershme dhe po rrezikon seriozisht shëndetin afatgjatë të brezave të rinj.
Njëkohësisht, Aleanca thekson se duhanpirja në ambiente të mbyllura dhe hapësira publike vazhdon të tolerohet duke i ekspozuar qytetarët dhe veçanërisht punëtorët e lokaleve ndaj tymit të duhanit dhe rreziqeve të njohura shëndetësore, përfshirë sëmundjet kronike dhe kancerin.
Në këtë kontekst, gjatë fushatës elektorale, Aleanca u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të adresojnë qartë çështjen e përdorimit dhe shitjes së vape-ve pranë shkollave, të angazhohen seriozisht për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe të mbështesin denormalizimin e praktikave të dëmshme për shëndetin publik.
“Abstenimi nga adresimi i këtyre çështjeve mund të jetë komod politikisht, por është i rrezikshëm për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë,” thuhet në deklaratë.
Po ashtu, Aleanca inkurajon mediat që në debatet dhe intervistat zgjedhore t’u japin hapësirë këtyre temave, në mënyrë që qytetarët të informohen qartë për qasjen dhe përgjegjësinë që subjektet politike ofrojnë në fushën e shëndetit publik.
Deklarata theksohet se është jopartiake dhe e bazuar në interesin publik duke mbetur e vlefshme gjatë gjithë fushatës elektorale, deri në ditën e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025. /Kosova.info/
